Lidhje

Kalendari Historik 17 nëntor - 2001-11-17


Më 17 nëntor të vitit 1880, Kongresi i Shteteve të Bashkuara u mblodh për herë të parë në ndërtesën e përfunduar pjesërisht të Kapitolit në Washington DC. Kongresi i kishte filluar planet për mbledhjen e ligjvënësve vazhdimisht në një vend të caktuar, që në vitin 1790. Trupi legjislativ nuk ishte i kënaqur që ishte i detyruar të mblidhej në 8 qytete të ndryshme që nga nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë më 1776. Kongresi caktoi George Washington të zgjidhte një vend si distrikt i përheshëm qeveritar apo kryeqytet. Ai zgjodhi një truall prej 256 kilometrash katrore përgjatë bregut lindor të lumit Potomac ndërmjet Marylandit dhe Virgjinias. Thomas Jefferson zgjodhi vendin për ndërtimin e Kapitolit, emër më të cilin njihet ndërtesa e kongresit amerikan, në një kodër që shikon mbi lumë. Kjo ndërtesë ka qenë vazhdimisht në ndërtim apo restaurim që nga fillimi i punimeve më 1793.

Më 17 nëntor 1968 një ndeshje e futbollit amerikan ndërmjet skuadrës Jets të Nju Jorkut dhe skuadrës Raiders të Oaklandit të Kalifornisë mbeti e paharruar për tifozët e sportit dhe fazat interesante të ndeshjes ishin vetëm një pjesë e arsyes. Vetëm 65 sekonda para se të përfundonte ndeshja, skuadra e Nju Jorkut shënoi 3 pikë, duke e ndryshuar rezultatin në 32 me 29 në favor të saj. Menjëherë pas kësaj, rrjeti televiziv amerikan, NBC, që po transmetonte ndeshjen, filloi të japë një reklamë televizive, kështu që telespektatorët e Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara nuk mundën ta shohin rezultatin e ndeshjes. Ishte ora 7 e mbrëmjes në zonën lindore të Shteteve të Bashkuara dhe në këtë kohë kanali NBC, duke vazhduar programet e tij, filloi të shfaqë filmin për fëmijë, Heidi. Miliona telespektatorë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara nuk mundën të shohin fundin plot emocione të ndeshjes së futbollit amerikan, kur skuadra e Oaklandit duke shënuar dy herë mundi ekipin e Nju Jorkut me rezultatin 43 me 32. Mijëra tifozë futbolli i telefonuan rrjetit televiziv NBC dhe kur centrali telefonik i NBC-së nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej të gjitha thirrjeve telefonike, disa tifozë të zemëruar i telefonuan Departamentit të Policisë të Nju Jorkut dhe kompanisë telefonike. Tifozët e futbollit amerikanë dhe as vetë Liga Kombëtare e Futbollit Amerikan kurrë nuk e harruan ndeshjen, që u bë e njohur me emrin Loja Heidi. Kurse industria televizive amerikane nxori një mësim të mirë lidhur me devotshmërinë e tifozëve të futbollit. Në vitet që pasuan Lojën Heidi, është bërë një praktikë e zakonshme për rrjetet televizive që ta vazhdojnë transmetimin e ndeshjeve të futbollit derisa të përfundojnë, edhe në rast se për këtë u duhet t’i shtyjnë emisionet.

XS
SM
MD
LG