Lidhje

Menzies mbi zgjedhjet në Kosovë - 2001-11-17


Në intervistën që i dha Zërit të Amerikës, Shefi i misionit amerikan në Prishtinë, John Menzies tha se ardhmja e Kosovës do të varet tani nga vetë qytetarët e saj të cilët duhet të tregojnë me vepra se mund të qeverisin dhe mund të jetojnë së bashku.

Ambasadori John Menzies tha se këto zgjedhje ishin një sukses i madh.

”Kosova kaloi në fakt një provë kritike. Ata i zhvilluan këto zgjedhje ashtu siç kishin premtuar: me vetpërmbajtje dhe me entuziazëm të qetë. Sot ata shprehën pjekuri dhe tani ata janë me të vërtet në rrugën drejt demokracisë.”

Pavarësisht se kush fiton në këto zgjedhje, një gjë është e sigurt se Kosova del e fituar prej tyre nga vetë fakti se ato u zhvilluan aq mirë dhe se zëri i qytetarëve të saj me siguri që u dëgjua.

”Mua pak do të më intersonte se cila parti ka fituar ndaj tjetrës. I gjithë rajoni fiton nga pjesmarrja e kaq shumë njerëzve në procesin politik.”

Lidhur me njoftimet për frikësimet ndaj serbëve të Kosovës, ambasadori Menzies tha se nuk kishte informacione të mjafta për të karakterizuar se çfarë ndryshimi ka sjellë kjo në rezultatin e votimit. Por ai shtoi se ishte paksa i shqetësuar se pjesmarrja e tyre në votime nuk ishte aq e madhe sa do të kishte shpresuar. Megjithatë, ai tha se pjesmarrja në votime është një vendim demokratik i vetë qytetarëve.

”Ne, tha ai, mendojmë se mospjesmarrja në këtë rast ka qenë një vendim i gabuar. Disa herë, njerëzit i shprehin pikpamjet e tyre duke mos thënë asgjë. Mendoj se do të ishte për të ardhur keq nëse ka ndodhur kështu. Do të ishte aq më tepër për të ardhur keq nëse ka patur ndonjë frikësim për t’i detyruar njerëzit që të mos marrin pjesë. ”

Problemi më i madh që shtrohet tani në Kosovë është se duhet të kalohet nga politika tek qeverisja. Njerëzit që janë zgjedhur tani duhet të punojnë me zell dhe ta marrin seriozisht çështjen e qeverisjes në institucionet e përkohshme.

Do të jetë gjithashtu një sfidë e vështirë që të mobilizohen të gjitha partitë politike dhe të gjitha komunitetet, qofshin ata serbë, ashkali, turq, egjiptianë e të tjerë. Kjo do të jetë e vështirë por do të realizohet. Ne besojmë se njerëzit do të jenë në gjendja ta bëjnë kalimin nga politika në qeverisje.

Duke folur për të ardhmen në Kosovë, zoti Menzies shprehu besimin se problemet e kompetencave midis UNIMK-ut dhe qeverisë së re do të mund të zgjedhen në praktikë.

”Atje ku ka lëvizje ka edhe fërkime por rregullimi dhe transferimi i kompetencave do të bëhet në mënyrë të rregullt. Rëndësi ka që ekziston vullneti për t’i bërë këto.”

Ambasadori Menzies tha se tani nuk është momenti për ta përqendruar vemendjen te statusi përfundimtar. Rëndësi ka vendosja e shtetit juridik, e demokracisë, zhvillimi i ekonomisë, për t’i treguar botës se kjo është një demokraci ku njerëzit janë në gjendje të jetojnë në paqe me fqinjët.

”E ardhmja e Kosovës varet shumë më pak nga vullneti i komunitetit ndërkombëtar. Ajo do të varet shumë më tepër nga ajo që realizojnë njerëzit e Kosovës, të cilët duhet të tregojnë me vepra se mund të qeverisin dhe mund të jetojnë së bashku.” Pavarësia e Kosovës, tha ambasadori Menzies, do të varet nga ajo që do të ndodhë në muajt dhe vitet e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG