Lidhje

Bombardime në Kunduz - 2001-11-18


Avionët luftarakë amerikanë po bombardojnë qytetin e fundit nën kontrollin taleban në Afganistanin verior, i cili tani është rrethuar nga forcat e Aleancës së Veriut.

Re të mëdha tymi dhe pluhuri u panë sot rrotull qytetit Kunduz, ndërsa vazhdonte bombardimi i vijave të frontit taleban. Thuhet se në rajonin e rrethuar ka disa mijëra luftëtarë arabë, pakistanezë dhe çeçenë që janë bashkuar në luftën kundër forcave të opozitës, të cilat kanë futur nën kontroll pjesën më të madhe të Afganistanit gjatë javës së fundit.

Forcat talebane vazhdojnë të kontrollojnë Kandaharin, baza e tyre e fundit në Afganistanin jugor si dhe bazë kryesore e udhëheqësit taleban Mullah Muhamed Omar. Flitet që në këtë qytet fshihet edhe ekstremisti saudit Osama bin Laden.

Dëshmitarët tregojnë se disa luftëtarë talebanë po largohen nga qyteti. Por Talebani i ka hedhur poshtë njoftimet se Mullah Omar ka në plan t’ua dorëzojë qytetin e Kandaharit udhëheqësve të fiseve pashtu.

Agjencia e lajmeve Shtypi Islamik Afgan njofton se të paktën 90 vetë janë vrarë nga goditjet ajrore amerikane që të premten, përfshirë edhe 34 nxënës të një shkolle fetare në qytetin lindor të Khost-it. Njoftimi nuk është konfirmuar nga burime të pavarura.

Ndërkaq, Këshilltarja e presidentit Bush për Sigurimin Kombëtar Condoleeza Rice tha se është ende herët për të shpallur fitoren në Afganistan. Zonja Rice tha se largimi i Talebanit nuk është qëllimi përfundimtar, dhe se faza aktuale e luftës kundër terrorizmit do të përfundojë kur të shkatërrohet rrjeti terrorist al-Qaida.

Zonja Rice i bëri këto komente në një intervistë për gazetën New York Times pas një takimi të Këshillit të Sigurimit Kombëtar të kryesuar nga presidenti Bush.

XS
SM
MD
LG