Lidhje

Ku është Bin Ladeni ? - 2001-11-21


Shefi i shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Richard Meyers, tha se Osama Bin Ladeni është fshehur dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë të vështirë të gjejnë me saktësi se ku ndodhet ai, por Washingtoni, theksoi gjenerali Myers, do të vazhdojë ta ndjekë atë kudo që të fshihet.

Duke folur me gazetarët në selinë e Natos në Bruksel, pas informimit të komandantëve të Natos për fushatën kundër terrorzimit, gjenerali Myers, tha se Shtetet e Bashkuara deri tani nuk kanë qënë në gjendje të gjejnë vendin ku fshihet Osama Bin Ladeni.

Por tha gjenerali, forcat amerikane, po ia bëjnë gjithnjë e më të vështirë Bin Ladenit të kryejë sulme të tjera terroriste. “Është vështirë të gjendet vendi i saktë ku ndodhet Bin Ladeni. Ne po punojmë intensivisht për këtë. Mendojmë se e kemi ngushtuar rrezen e kërkimit dhe në se do ta kapim në fund këtë nuk e di. Por ajo që di është se ne po i bëjmë atij shumë të vështirë të planifikojë sulme të tjera terroriste pasi ai është në lëvizje të vazhdueshme për t’u fshehur”, tha gjenerali Myers.

Disa njoftime nga Afganistani venë në dukje se Bin Ladeni mund të jetë fshehur në shpallat në jug-lindje të Afganistanit, pjesa e vetme e territorit afgan që kontrollohet ende nga forcat talebane. Por gjenerali Myers tha se ai mendon se Bin ladeni është vazhdimisht në lëvizje.

“Ai nuk qëndron më shumë se një natë në një vend. Pra ai është vazhdimisht në lëvizje. Po ashtu ai mund të largohet edhe nga Afganistani. Në se largohet ne do ta ndjekim kudo që të shkojë”, tha gjenerali Myers.

Por gjenerali Myers tha se fushata ushtarake në Afganistan nuk do të përfundojë derisa e gjithë udhëheqja e Al-Qaidës, rrjetit terrorist të Bin Ladenit, të dalë para drejtësisë dhe lëvizja talebane të shkatërroeht.

“Lufta nuk po bëhjet kundër një individi. Në se Bin ladeni do të vritej apo kapej sot, kjo nuk do t’i jepte fund luftës tonë.”

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane tha se synimi në Afganistan është që qeveria e ardhshme atje të mos ndihmojë ose strehojë terroristë.

Gjenerali shtoi se ai shpreson që Natoja të luajë rol të madh në shpërndarjen e ndihmave humanitare në Afganistan për të lehtësuar barrën e Shteteve të Bashkuara në këtë aspekt.

XS
SM
MD
LG