Lidhje

Intervistë me Ministrin e Mbrojtjes të Shqipërise Pandeli Majko - 2001-11-21


VOA: Zoti Majko fillimisht cili ishte qëllimi i vizitës suaj në Washington?

PM: Unë erdha në Washington me një ftesë te Pentagonit, për të diskutuar nga afër një varg zhvillimesh të cilat kanë të bëjnë me bashkëpunimin e forcave te armatosura të republikës së Shqipërisë dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në Pentagon dy delegacionet tona te nivelit të lartë diskutuan nga pikëpamja profesionale dhe politike këtë bashkëpunim, i cili ne fakt shënon në kuadrin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, bashkëpunimin më intensiv dhe ndoshta më të konsoliduar, pasi bëhet fjalë për një program i cili do të vazhdojë për mëse dhjetë vjetë. Është një program i cili ka të bëjë me ushtrinë shqiptare dhe që do të bazohet në bashkëpunimin e ngushtë me Pentagonin. Po nga ana tjetër, mund të them qe jashtë këtyre bisedimeve qëndruan një sërë diskutimesh që kanë të bëjnë me stabilitetin jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë, dhe sidomos u nënvizua fakti i prezencës së huaj dhe amerikane në rajon. Dhe dëshiroj të them, që pavarësisht nga ndonjë zhurmë që ka pasur në media qofte në Shqipëri apo jashtë Shqipërise, mora sigurinë se forcat amerikane sidomos në Kosovë do të jenë prezente atje.

VOA: Zoti Majko si është menduar të realizohet konkretisht reformimi i ushtrisë shqiptare dhe a ka filluar ky proces tashme?

PM: Faktikisht është një proçes që ka filluar, është një mision amerikan që ndodhet konkretisht prezent në Shqipëri. Gjithe ky proçes do të drejtohet nga një shoqëri amerikane e cila ka lidhje të ngushtë dhe direkt me Pentagonin, drejtohet nga një gjeneral me eksperiencë që është gjenerali Kivenar. Janë ngritur tre ekipe të përbashkëta të cilat janë duke u marrë me tre linjat kryesore të reformës: financiare, strukturore dhe me ato të burimeve njerëzore. Nga kjo pikëpamje jam mjaft optimist sepse bëhet fjalë për një punë të përbashkët , e cila ndiqet hap pas hapi në mënyrën më praktike.

VOA: Zoti Minister, qeveria shqiptare ka deklaruar më parë se do bashkëpunojë plotësisht me koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit, gjë që e theksuat edhe ju gjatë vizitës në Washington. Me konkretisht, cfarë u diskutua për këtë bashkëpunim dhe çfarë ndihme mund të ofrojë Shqipëria?

PM: Është padiskutim fakti që pas luftës së Kosovës , ushtria shqiptare dhe ushtria amerikane vlerësuan së bashku një bashkëpunim më praktik dhe tanimë gjithçka nuk bazohet tek dëshira e mirë apo e keqe e një politikani në Shqipëri ajo që ka të bëjë me bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tani kjo është thjesht një përgjegjësi e çdo politikani aq më pak e një ministri mbrotjeje apo një qeveritari tjetër që t’i përgjigjen këtij bashkëpunimi i cili në mënyrë të mirëfilltë u përcaktua në strategjinë e ardhshme që lidh Shtetet e Bashkuara me Shqipërinë. Aktualisht Shqipëria është një nga vendet që ofron partneritet më të konsiliduar në rajon. Ne deklaruam qartazi në të gjitha takimet se nëse do të kërkohet, forcat e armatosura të republikës së Shqipërisë janë të gatshme të bashkëpunojnë në këtë drejtim.

VOA: Në çfarë aspektesh më konkretisht do të shtrihet bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë?

PM: Janë një varg fushash të cilat ne i diskutuam me një varg delegacionesh në disa nga institucionet duke filluar që nga Pentagoni deri te Këshilli i Sigurimit, dhe gjithsesi nuk është përjashtuar asnjë fushë duke filluar nga ajo që ka të bëjë me reformimin në përgjithësi nga pikëpamja strukturore e ushtrisë shqiptare deri në ndihma në mjete.

VOA: Zoti minister, le të kalojmë pak tek zhvillimet brenda në Shqipëri. Sa shqetësuese ësthë për ju konflikti midis kryetarit të Partisë zotit Nano dhe kryeministrit Zotit Meta? A është ky konflikt midis tyre fillimi i një përçarjeje brenda rradhëve të Partisë Socialiste dhe a do të ketë nevojë për zgjedhje të parakohshme që të kapërcehet ky konflikt?

PM: Jo nuk besoj se ky lloj debati që ka brenda Partia Socialiste do të jetë një bazë për të shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Normalisht Shqiperia është në prag të zgjedhjeve të një karakteri pak të veçantë, që janë zgjedhjet presidenciale, dhe normalisht politikanë të ndryshëm nga pikëpamje të ndryshme përpiqen të orientojnë një politikë sa më të dukshme. Nga kjo pikëpamje unë mendoj që nuk është shqetësuese natyra e debatit, problemi është se cilat do të jenë konkluzionet përfundimtare të këtij debati.Une hyj tek socialistët që duke mos qënë pjesë e marrëveshjes nuk do të bëhem pjesë e sherrit nëse mund të flitet në gjuhë më thjeshte, por ndërkohë jam i shqetësuar jo si ministër, po si qytetar për stabilitetin e qeverisë. dhe kjo është më e rëndësishmja, dhe së dyti jam një socialist që e refuzoj ndarjen. Për këtë, besoj që kam dhënë prova, jo vetëm si socialist i thjeshtë por si një njeri që në fund të fundit ka mirëkuptuar proçedurat që duhen ndjekur në një moment demokratik brenda partisë socialiste. Por siç e thashe ky debat une nuk besoj që do të ketë problematika, nuk është fjala këtu për të mbajtur krahun e Nanos apo të Metës, është një debat i cili nuk është një rast i veçantë që po ndodh brenda partisë Socialiste, kanë ndodhur shpesh debate të tilla brenda Partisë Socialiste, por ne socialistët kemi ditur që gjërat t’i zgjidhim brenda familjes.

VOA: Zoti Majko shumë faleminderit.

XS
SM
MD
LG