Lidhje

Kalendari Historik 25 nëntor - 2001-11-25


Më 25 nëntor të vitit 1963, u varros presidenti i Shteteve të Bashkuara, John Kennedy. Presidenti më i ri i Shteteve të Bashkuara ishte vrarë nga një snajper në Dallas të Teksasit, tri ditë më parë. Pas ceremonive të përmortshme në Capitol, Shtëpinë e Bardhë dhe në Katedralen Katolike të Uashingtonit, arkivoli me trupin e zotit Kennedy, i vendosur në një karrocë të tërhequr me kuaj, u çua për t’u varrosur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. “ O Zot, falë mëshirës së të cilit shpirtërat e besnikëve gjejnë prehje, bekoje këtë varr të të dashurit tonë Jack Kennedy, presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara. Shpirti i tij pastë gëzim tek Ti, rrethuar nga gjithë shenjtët, nëpërmjet Jesu Krishtit, zotit tonë. Amin.” Me këto fjalë Kardinali i moshuar Cushing, i Bostonit, mik i vjetër i familjes Kennedy, filloi shërbesën e varrimit, ndërsa errësira kishte filluar të mbulonte vendin përreth. Duke përshëndetur për herë të fundit presidentin e ri, skuadrilja e aeroplanëve presidencialë, Air Force One, fluturoi mbi varreza, ndërkohë që një borizan luajti melodinë tradicionale Taps.

Më 25 nëntor 1969 presidenti Nikson hoqi dorë nga përdorimi i armëve biologjike, edhe si mjet kundërpërgjigjeje, pas një sulmi të armikut. Ai dha urdhër gjithashtu që të shkatërroheshin të gjitha stoqet e armëve biologjike amerikane. Presidenti Nikson tha se veprimi i tij ishte një nismë për paqe, duke shtuar se “Njerëzimi mbante tashmë në duart e veta një numër shumë të madh burimesh për shkatërrimin e vet.” Duke urdhëruar Departamentin e Mbrojtjes të hartonte plane për asgjësimin e armëve biologjike, zoti Nikson shprehu shqetësimin se çdo sulm biologjik mund të shkaktonte një epidemi globale. Presidenti Nikson tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin një propozim britanik të bërë në fillim të atij viti në konferencën e Kombeve të Bashkuara për Çarmatimin, në Gjenevë, për të ndaluar zhvillimin, prodhimin apo përdorimin e armëve biologjike në çfarëdo rrethanash. Autoritetet amerikane nuk kanë zbuluar akoma autorët e sulmeve të fundit me antraks në Shtetet e Bashkuara. Kjo armë biologjike e dërguar me postë në formën e një pluhuri të bardhë, ka bërë që të humbasin jetën 5 veta, ndërkohë që 14 të tjerë vazhdojnë të mjekohen për të luftuar infeksionin.

XS
SM
MD
LG