Lidhje

Robinson: hetime - 2001-11-28


Komisionerja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut bëri thirje për hetime mbi njoftimet se disa të burgosur janë ekzekutuar në një fortesë në afërsi të qytetit afgan Mazar-e-Sharif.

Komisionerja e Lartë Mary Robinson tha se duhen ndriçuar plotësisht rrethanat e vërteta të vdekjes së rreth 600 luftëtarëve talebanë dhe aleatëve të tyre të huaj që ishin burgosur në fortesë. Të burgosurit u kapën nga forcat e Aleancës së Veriut që morën qytetin Mazar-e-Sharif afro një javë më parë.

Thirjet e Komisioneres për hetime përkojnë me botimet në disa gazeta të Londrës të fotografive të të burgosurve talebanë të vdekur me duar të lidhura pas shpine.

Zonja Robinson i ka bërë gjithashtu thirje organizatës së të drejtave të njeriut Amnesty International si dhe grupeve të tjera për të drejtat e njeriut të përfshihen në këto hetime.

Megjithatë, Sekretari i Jashtëm Britanik Jack Straw tha se nuk ka nevojë për hetime të tilla. Zoti Straw shtoi se të burgosurit ishin vrarë në zjarrin e betejës kundër trupave të Aleancës së Veriut që i kapën rob.

Zyrtarët amerikanë, britanikë dhe ata të Aleancës Veriore thonë se luftimet shpërthyen pasi të burgosurit, pjesa më e madhe e të cilëve talebanë, rrëmbyen armët e rojeve të burgut dhe sulmuan forcat e Aleancës Veriore. Luftimet ishin aq të ashpra saqë u deshën 3 ditë për të shtypur rebelimin.

XS
SM
MD
LG