Lidhje

Avionët sulmojnë Kandaharin - 2001-11-28


Avionët luftarakë amerikanë vazhdojnë pa ndërprerje goditjet në Afganistanin e jugut.

Dëshmitarët thanë se avionët amerikanë sulmuan pa pushim bazën e fundit talebane në Kandahar, ndërsa forcat anti-talebane u angazhuan në luftime me forcat talebane përreth qytetit. Zyrtarët amerikanë thonë se rreth një mijë marinsa amerikanë të dislokuar në jug të Kandaharit po përgatiten për luftime tokësore.

Agjencia e lajmeve Shtypi Islamik Afgan citon zëdhënësin taleban Mullah Abdul Salam Zaeef sipas të cilit forcat e kësaj lëvizjeje kanë marrë urdhër të luftojnë dhe të vdesin me dinjitet sesa të dorëzohen për një jetë me turp. Por zyrtarët e Pentagonit dhe të Aleancës Veriore thonë se disa luftëtarë talebanë po diskutojnë kushtet e dorëzimit.

Pentagoni hodhi poshtë gjithashtu pretendimet talebane se një avion luftarak amerikan është rrëzuar nga zjarri taleban gjatë luftimeve të ashpra në afërsi të aeroportit të Kandaharit. Zyrtarët amerikanë thonë se të gjithë avionët e tyre janë të pacënuar.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë i Aleancës së Veriut tha se mendon që ekstremisti saudi Osama bin Laden fshihet në Afganistanin e jugut, jo pranë qytetit të Jalalabadit në Afganistanin lindor ku po e kërkojnë forcat amerikane. Abdullah Abdullah u tha gazetarëve në Kabul se bin Ladeni kishte lënë disa pasues të tij në rajonin e Tora-Borës në jug të Jalalabadit. Zoti Abdullah nuk e bëri të ditur burimin e informatave të tij.

Ndërkaq, përfaqësuesit që janë mbledhur në Gjermani për të diskutuar një qeveri pas-talebane në Afganistan thonë se presin të arrijnë sot një kompromis mbi qeverinë e përkohshme të spektrit të gjerë. Një zëdhënës i ish-presidentit Afgan Burhanudin Rabbani tha se ka mundësi që qeveria e përkohshme të mos kryesohen nga Aleanca e Veriut. Pritet që hollësitë e plota të marrëveshjes të bëhen të ditura nesër.

XS
SM
MD
LG