Lidhje

Kalendari Historik 30 nëntor - 2001-12-01


Më 30 nëntor të vitit 1835, emri i Samuel Langhorne Clemens iu shtua regjistrave të gjykatës së qytetit Florida të shtetit Missuri. Sam Clemens u bë më pas i njohur me emrin Mark Twain, një nga humoristët dhe shkrimtarët më të mëdhenj të Amerikës. Ai u bë veçanërisht i njohur sa ishte gjallë, duke përshkruar jetën në brigjet e Mississipit, në romanet e tij “Tom Sawer” dhe “Aventurat e Hakëlberrifinit.” Suksesi fillestar i Twainit si shkrimtar u arrit kur ai punonte si gazetar i një reviste, duke përshkruar jetën e punëtorëve të minierave të arit në malet e Kalifornisë dhe të Nevadës. Ai jepte gjithashtu leksione që ndiqeshin me interesim të madh, falë humorit të tij, në mënyrë të veçantë përsa u përket mangësive të shoqërisë amerikane. Një nga biografët e tij shkruan se thelbi i Mark Twainit ishte njëjtësimi i tij me njeriun e zakonshëm, edhe pse vetë Twaini nuk mund të shikohej si njeri i zakonshëm. Më 30 nëntor të vitit 1872, Shtetet e Bashkuara dhe Britania ranë dakord për kushtet e paqes për t’i dhënë fund luftës amerikane për pavarësi. Projekt-marrëveshja njihte pavarësinë e Shteteve të Bashkuara nga Anglia dhe përcaktonte kufirin e këtij vendi të ri me Kanadanë britanike. Traktati caktoi lumin Mississipi si kufirin perëndimor të Shteteve të Bashkuara dhe Floridën spanjolle si kufirin e tyre jugor. Marrëveshja u siguronte peshkatarëve amerikanë edhe të drejtën për të lundruar në brigjet e Newfoundlandit dhe pjesëve të tjera tradicionale të peshkimit në ujrat kanadeze. Nga e tyre, Shtetet e Bashkuara pranuan të përdornin kompetencat e tyre për t’i dhënë fund persekutimit të besnikëve të mbretërisë britanike nga ana e qeverive shtetërore dhe vendore, dhe t’ua kthenin atyre pronat që u kishin sekuestruar gjatë luftës. Të dy vendet ranë gjithashtu dakord që të mos ndalonin huadhënësit të kërkonin rikthimin e borxheve që kishin lëshuar.

XS
SM
MD
LG