Lidhje

Kalendari Historik 1 dhjetor - 2001-12-01


Më 1 dhjetor 1960, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve njoftoi se tableti për kontrollin e lindjeve do të vihej në shitje në Shtetet e Bashkuara brenda 6 muajsh. Agjencia e mësipërme qeveritare, e ngarkuar me kontrollin e pajisjeve mjekësore dhe ilaçeve, kishte miratuar muaj më parë, përdorimin e tabletit si një mjet të sigurt për parandalimin e shtatzanisë. Kjo erdhi si pasojë e 4 vjet provash me një mijë e 500 gra, të cilat treguan se tableti ishte qind për qind i efektshëm në parandalimin e shtatzanisë. Administrata tha se tableti mund të përdorej me recetë mjeku. Kostoja e përmuajshme e tij do të ishte rreth 10 dollarë. Me kalimin e viteve, lindën shqetësime rreth rreziqeve shëndetësore që këto medikamente mund t’u krijonin disa grave, ndërsa Kisha Katolike dhe disa grupe konservatore filluan të kundërshtojnë përdorimin e tyre për arsye morale. Është thënë shpeshherë se hapja kontraceptive shkaktoi një revolucion seksual në shoqërinë amerikane dhe në pjesën më të madhe të botës, duke e ndryshuar Amerikën dhe botën, edhe për shumë vjet të ardhshëm. Më 1 dhjetor 1955, në Montgomery të shtetit Alabama ndodhi një ngjarje e rëndësishme në lëvizjen e të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara. Një femër zezake, e quajtur Rosa Parks, u arrestua pasi nuk pranoi t’iu bindej ligjeve të shtetit. Në bazë të këtyre ligjeve, udhëtarët zezakë të autobusëve duhej t’ua lëshonin vendet e tyre të bardhëve. Zonja Parks tha më vonë se vendimi i saj për të mos ia lëshuar vendin një të bardhi, ishte diçka e thjeshtë. “Unë nuk lëviza nga vendi, sepse nuk mendova që një veprim i tillë, pra zbatimi i ligjeve të tilla, do të na ndihmonte, apo do të na i lehtësonte problemet, qoftë mua personalisht, apo ne të gjithëve si popull, po qe se do të vazhdonin të na shtynin sa andej këtej, për shkak të racës dhe ngjyrës së lëkurës,” tha zonja Parks. Më 5 dhjetor 1955, 4 ditë pas arrestimit të Rosa Parks, zezakët në qytetin Montgomery filluan të bojkotonin autobusët e qytetit. Një klerik i ri zezak, Martin Luther King, I Riu, u shqua si udhëheqësi më i efektshëm i protestës. Bojkotimi përfundoi në nëntor të vitit 1956. Kjo ndodhi kur Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara arriti në përfundimin që ligjet e atij shteti dhe qyteti që bënin diskriminim racial në autobusë, ishin jokushtetuese.

XS
SM
MD
LG