Lidhje

Kalendari Historik 2 dhjetor - 2001-12-02


Më 2 dhjetor të vitit 1823, në fjalimin e tij vjetor drejtuar Kongresit, presidenti amerikan James Monroe bëri të njohur një vendim të guximshëm. Plani i tij, që më vonë u quajt “Doktrina Monroe”, u bë bazë për marrëdhëniet me jashtë të Shteteve të Bashkuara për më tepër se një shekull. Presidenti Monroe tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejonin ndërhyrjen e evropianëve në punët e vendeve të Hemisferës Perëndimore. Historiani i Universitetit Cornell Walter Lefeber shpjegon parimet kryesore të doktrinës Monroe. “Parimi i parë është se Hemisfera Perëndimore nuk mund të jetë më e hapur për kolonizimin evropian. Parimi i dytë është se evropianët nuk mund të ndërhyjnë në Hemisferën Perëndimore. Parimi i tretë, i ashtuquajtur parim i dy sferave, sipas të cilit, në botë ka tani dy sisteme: një të botës së re dhe një të botës së vjetër, sistemi amerikan dhe ai evropian,” shpjegon historiani Lefeber.

Më dy dhjetor të vitit 1942, shkencëtarët amerikanë demonstruan për herë të parë se mund të kontrollonin një reaksion zinxhir bërthamor. Eksperimenti u krye në laboratorin e fizikës të Universitetit të Çikagos, si pjesë e programit sekret të Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e bombës atomike në Luftën e Dytë Botërore. Bernard Feld, i cili ishte në atë kohë student 22-vjeçar për gradë shkencore pasuniversitare, bënte pjesë në ekipin e shkencëtarëve. Profesori Feld, i cili vdiq në vitin 1993, tha se në laborator kishte një atmosferë të tensionuar. “Megjithëse ne të gjithë mendonim se do të funksiononte, fakti qe se askush nuk e kishte bërë asnjëherë të funskiononte siç duhet, dhe në anën tjetër, edhe në se funksiononte, ne nuk ishim 100 për qind të sigurtë, për shembull, se nga ky reaksion bërthamor ne nuk do të goditeshim. Pra tensioni ndjehej edhe në ajër, dhe më në fund, kur erdhi momenti vendimtar, Enrico Fermi mundi të shpallte: “Jemi në momentin vendimtar. Funksionon në mënyrën që ne shpresonim të funksiononte. Atëhere, le t’i japim fund për sot dhe shihemi nesër në mëngjes,” tregon profesori. Profesori Bernard Feld do të kujtonte më vonë se grupi i shkencëtarëve që morën pjesë në eksperiment, e festuan suksesin duke pirë verë italiane Chianti dhe cigare. Ai kujton se nuk kishin aq para sa për ta festuar ngjarjen me shampanjë, apo puro.

XS
SM
MD
LG