Lidhje

Kalendari Historik 3 dhjetor - 2001-12-03


Më tre dhjetor të vitit 1965, juria e një gjykate federale në Montgomery të shtetit Alabama, e përbërë vetëm nga të bardhë, shpalli fajtorë tre anëtarë të organizatës raciste të Ku Klux Klan-it, në lidhje me një vdekje. Tre të pandehurit u gjetën fajtorë sipas ligjit të vitit 1870, që ndalonte çdo lloj bashkëpunimi për t’u hequr të drejtat civile qytetarëve amerikanë. Akuzat u ngritën pas vrasjes së Viola Liuzzo-s, një grua e bardhë shtëpiake nga Detroiti i Miçiganit, e cila kishte shkuar në Alabama për të punuar gjatë fushatës për regjistrimin e e zezakëve për të votuar. Zonjën Liuzzo e panë për herë të fundit një mbrëmje vonë, në një rrugë fshati të Alabamës. Pjesëtarrët e Ku Klux Klanit u dënuan me 10 vjet burgim për vrasjen e saj. Më 2 dhjetor, një tjetër juri e përbërë vetëm nga të bardhë gjeti fajtor për vrasje një tjetër pjesëtar të Ku Klux Klanit, për vrasjen e zezakut Willie Brewster. Duke reaguar ndaj këtyre dënimeve, presidenti amerikan Lindon Johnson tha se kombi amerikan mund të merrte kurajo se në jugun e Shteteve të Bashkuara kishte nga ata që besonin në drejtësinë pa dallime racore.

Më tre dhjetor të vitit 1951, presidenti Harry Truman caktoi një komision të veçantë për t’u siguruar që kompanitë që zhvillojnë biznes me qeverinë federale, të respektojnë të gjitha ligjet e së drejtës civile. Tri muaj më parë, Kongresi nuk e kishte miratuar një ligj të propozuar nga zoti Truman për krijimin e një agjencie për të drejtat civile. Deklarata presidenciale që shoqëronte urdhërin për të drejtat civile, ishte pak a shumë kjo “Ne nuk mund të jemi të kënaqur, përderisa të gjithë njerëzit të gëzojnë mbrojtje të njejtë ligjore për punën, strehimin, arsimin, shëndetësinë dhe për lirinë e shprehjes politike. Ligji i propozuar nga presidenti Truman në muajin shtator, shkatoi zemërimin e anëtarëve të Kongresit nga jugu i Amerikës, ku vazhdonte të ekzistonte dallimi racor, që binte në kundërshtim me planet për zbatimin e ligjeve që kishin të bënin me të drejtat civile.

XS
SM
MD
LG