Lidhje

Të Drejtat e Njeriut dhe Terrorizmi - 2001-12-03


Shtetet e Bashkuara po luftojnë kundër terrorizmit. Ata nuk do të ndalen derisa al-Qaida dhe grupet të tjera terroriste me shtrirje ndërkombëtare të jenë çrrënjosur. Por kjo nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar politikën e tyre për mbështetjen e demokracisë dhe të drejtat e njeriut. Siç ka thënë Paula Dobriansky, nënsekretarja e shtetit për çështjet botërore, ”të heqësh dorë nga përpjekjet tona për mbështetjen e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë, do të thotë kapitullim ndaj dëshirave të terroristëve”.

Terrorizmi ndërkombëtar kërcënon institucionet që mbrojnë të drejtat e njeriut. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të tregojnë se një qeveri transparente, e përgjegjshme e cila respekton të drejtat e qytetarëve, përfshirë edhe të drejtat e tyre për opozitë me mjete paqësore, është qeveria më e mirë. Vendet me qeveri të tilla kanë përqafuar luftën kundër elementëve ekstremistë si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve të tyre.

Shtetet e Bashkuara po i kushtojnë vëmendje të madhe lirisë së besimit. Shumica e terroristëve janë nga vende ku mungon toleranca fetare. Në Afganistan, ku Usama bin laden ngriti rrjetin e tij al-Qaida, talebanët kanë shtypur pa mëshirë ata që nuk ndiqnin variantin e tyre të islamit. Siç ka thënë nënsekretarja e shtetit, Dobriansky, ”terrorizmi është një formë e fanatizmit e dalë nga urrejtja .... Në thelb ai është një formë e pastër e antibesimit. Në fakt, feja është një ilaç kundër fanatizmit dhe jo shkaku i tij”.

Shihet qartë se të mbrosh lirinë fetare, është rruga më e mirë, si për qeveritë që druhen prej ekstremistëve, ashtu edhe për pakicat fetare që ndjejnë se shtypen. Qeveritë që persekutojnë pakicat fetare, duhet të kuptojnë se liria fetare është një armë më e mirë kundër ekstremizmit, se sa tanket dhe aksionet policore.

11 shtatori ishte njëra prej ditëve më të tmerrshme në historinë amerikane. Si kundërpërgjigje, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e koalicionit po zhvillojnë një luftë kundër terrorizmit në shumë fronte, në frontin ushtarak, financiar dhe diplomatik. Por siç u shpreh edhe nënsekretarja e shtetit Dobriansky, Shtetet e Bashkuara ”do ta përdorin këtë mundësi të dalë nga intoleranca fetare dhe urrejtja për të krijuar bazat që do të forcojnë sigurinë tonë dhe paqen në botë. Mbështetja e demokracisë, e lirisë fetare dhe e të drejtave të tjera të njeriut do të jetë arma jonë afatgjatë në arsenalin e armëve kundër terrorizmit”.

XS
SM
MD
LG