Lidhje

Paralajmërim i ri - 2001-12-04


Shtëpia e Bardhë bëri një paralajmërim tjetër për sulme të reja terroriste që mund të venë në rrezik jetën e amerikanëve. Zyrtarët thonë se kanë prova që tregojnë se terroristët janë ndoshta duke planifikuar një sulm të ri. Zyrtarët thonë se vendi do të vazhdojë të jetë në gjendje të lartë gatishmërie.

Drejtori i Zyrës për Sigurimin e Atdheut, Tom Ridge, thotë se agjencitë e kundërzbulimit dhe të anti-krimit kanë informacione të reja që lidhen me aktivitete të mundëshme terroriste.

Informacioni që kemi nuk flet për ndonjë objektiv konkret qoftë në Amerikë apo jashtë vendit. Gjithashtu ai nuk përcakton se për çfarë sulmi konkret është fjala. Por analistët që e kanë studiuar këtë informacion besojnë se sasia dhe niveli i kërcënimeve janë mbi normën e zakonshme, tha zoti Ridge.

Ai tha se informacioni vjen nga burime të shumëfishta dhe konsiderohet i besueshëm. Një informacion i tillë, theksoi zoti Ridge, është një kujtesë për faktin se Amerika vazhdon të jetë në luftë.

Është e qartë se sa më shumë që largohemi nga 11 shtatori, njerëzit kanë prirjen e natyrshme që ta ulin vigjilencën. Për fat të keq, neve nuk na lejohet ta bëjmë një gjë të tillë, tha zoti Ridge.

Gjatë një takimi me gazetarë të Shtëpisë së Bardhë, Drejtori i Zyrës për Sigurimin e Vendit tha se paralajmërimi i ri nuk ka lidhje me shpërthimet terroriste vetvrasëse që ndodhën gjatë fundjavës në Izrael. Por ai shtoi se ato kanë një farë lidhje me kalendarin, duke venë në dukje se javët e ardhëshme përfshijnë disa ngjarje të rëndësishme fetare. Ai tha se në të kaluarën, terroristët janë përpjekur të ndërmarrin sulme pikërisht në këtë periudhë të vitit.

Një shembull është 1 dhjetori i vitit 1999. Autoritetet jordaneze, kanadeze dhe amerikane zbuluan dhe parandaluan planet për një seri sulmesh që lidheshin me hyrjen e mijëvjeçarit të ri. Këto plane dështuan sepse agjencitë e zbulimit mësuan rreth tyre dhe kështu personat e dyshuar si terroristë u arrestuan, tha zoti Ridge.

Ai tha se kërcënimi terrorist nuk duhet t’i frenojë amerikanët dhe t’i bëjë ata të mos i kremtojnë festat. Por, theksoi zoti Ridge, ata duhet të jenë më vigjilentë, më të kujdesshëm ndaj mjedisit ku jetojnë dhe duhet të raportojnë menjëherë pranë autoriteteve të rendit çdo gjë që u duket e dyshimtë.

XS
SM
MD
LG