Lidhje

Powell në Turqi - 2001-12-05


Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell ndodhet në Ankara për bisedime që zyrtarët thonë se do të përqendrohen rreth fushatës anti-terroriste dhe Irakut.

Kjo është ndalesa e dytë në turneun evropian të Sekretarit Powell. Sot ai do të zhvillojë bisedime me presidentin e Turqisë Ahmet Neçdet Sezer, kryeministrin Bulent Eçevit dhe ministrin e jashtëm Ismail Cem.

Presidenti Bush ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara mund të studiojnë mundësinë e veprimeve ushtarake kundër Bagdadit nëse presidenti irakian Saddam Hussein nuk lejon inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët të kthehen në Irak. Zyrtarët amerikanë po hetojnë gjithashtu njoftimet sipas të cilave Iraku ka patur kontakte me rrjetin terrorist Al-Qaeda.

Turqia është i vetmi vend i Natos me shumicë myslimane të popullatës. Ajo e mbështet fushatën anti-terroriste në Afganistan por thotë se vështirë se mund të mbështesë ndonjë operacion ushtarak kundër Irakut fqinjë.

Dje, sekretari Powell foli në një takim të OSBE-së në Bukuresht ku i bëri thirrje kësaj organizate 55 anëtarëshe që të bëjë përpjekje më të mëdha për parandalimin e terrorizmit.

Nesër, sekretari Powell do të jenë në Bruksel, ku ai dhe ministrat e drejtësisë të Bashkimit Evropian do të nënshkruajnë një marrëveshje mbi luftën kundër terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG