Lidhje

Anija amerikane e hapësirës më në fund në udhëtim - 2001-12-06


Anija amerikane e hapësirës Endeavour ndodhet më në fund në udhëtim në kuadër të misionit të saj 11-ditor në stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Endeavour u shkëput mbrëmë nga Kepi Kanaveral në Florida në orën 22 e 19 minuta sipas Grinuiçit.

Anija dhe ekuipazhi i saj prej katër astronautësh është në plan të ankorohen nesër në stacionin hapësinor. Endeavour do të lërë në stacion një kozmonaut rus dhe dy astronautë amerikanë për një turn prej katër muajsh dhe ekuipazhin e tanishëm do ta kthejë në Tokë. Përveç ekuipazhit dhe furnizimeve, anija do të nxjerrë në orbitë edhe objekte përkujtimore të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Endeavour po transporton ekuipazhin e katërt, një komandant rus dhe dy astronautë amerikanë për një qendrim prej 4 muajsh. Ata do të zëvendësojnë komandantin amerikan dhe dy kozmonautë të cilët ndodhen në hapësirë që nga muaji gusht.

Endeavour ishte në plan të ngrihej të enjtën e kaluar, por qendroi në tokë për shkak të motit të keq në zonën prej ku do të lëshohej, dhe të problemeve të ankorimit të një ngarkese ruse që do të dërgohet në stacion.

Anija u ngrit ndërsa ishin marra masa të rrepta sigurimi si rezultat i sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Hapësira përreth pistës së lëshimit dhe linjave detare pranë brigjeve të Floridas ishte kontrolluar në një rreze shumë më të madhe se ç’kërkohet në rrethana të zakonshme, ndërkohë që avionë ushtarakë patrullonin zonat e ndaluara.

Anija për dalje dhe kthim nga hapësira ka në bord gjithashtu 6 mijë flamuj dhe stema të policisë e të zjarrfikësve të New Yorkut dhe flamuj të marinsave amerikanë në përkujtim të viktimave të sulmeve terroriste.

XS
SM
MD
LG