Lidhje

Kalendari Historik 8 dhjetor - 2001-12-08


Si sot 60 vjet më parë, presidenti Franklin Roosevelt, e quajti ditën e mëparshme, 7 dhjetorin e vitit 1941, një datë të një pandershmërie të madhe. Ai thirri një sesion të përbashkët të dy dhomave të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, për t’i shpallur luftë Japonisë. Presidenti Roosevelt dënoi me fjalët më të ashpëra sulmin tinzar japonez të 7 dhjetorit kundër flotës ushtarako-detare të Shteteve të Bashkuara në Pearl Harbour të Havait. Ai vuri në dukje që në kohën e sulmit, diplomatë japonezë kishin ardhur në Uashington, për bisedime për paqe. Në fjalën e tij, që u transmetua në radio, presidenti i tha Kongresit dhe popullit amerikan se dëmet në Pearl Harbour ishin të rënda, por theksoi se nuk kishte dyshim për rezultatin përfundimtar të luftës. “Sulmi i djeshëm kundër ishujve të Havait u ka shkaktuar dëme të mëdha forcave ushtarako-detare amerikane. Ju them me keqardhje se një numër shumë i madh amerikanësh humbën jetën. Me besim në forcat tona të armatosura, me vendosmërinë e paepur të popullit tonë, ne do të arrijmë fitoren e pashmangshme. Zoti na ndihmoftë,” tha presidenti. Kongresi vendosi me shumicë dërrmuese t’i shpallë luftë Japonisë.

Më 8 dhjetor 1863 presidenti Abraham Lincoln, bëri të njohur planin e tij për rindërtimin e shteteve separatiste të jugut, që vazhdonin akoma Luftën Civile Amerikane. Me pak fjalë politika e zotit Lincoln ishte që Jugu të trajtohej si një anëtar i ngushtë i familjes, që e kishte marrë veten pas një problemi të përkohshëm sjelljeje. Presidenti Lincoln e bëri të njohur planin e tij gjatë fjalimit me rastin e përurimit të tij të dytë. “Pa i dashur të keqen askujt, me dhemshuri për të gjithë, pa u lëkundur në të drejtën që Zoti na jep për të parë atë që është e drejtë, le të përpiqemi ta çojmë deri në fund punën e filluar. Të shërojmë plagët e vendit. Të kujdesemi për atë që mbajti peshën e luftës, për të venë dhe jetimët e tij. Të bëjmë çdo gjë që mund të na sjellë një paqe të drejtë e të qëndrueshme me njëri-tjetrin dhe me të gjitha vendet e tjera,” tha presidenti Lincoln.

XS
SM
MD
LG