Lidhje

Afganistan: kërkohen krerët - 2001-12-08


Në Afganistan, krerët fisnorë po manovrojnë për kontrollin e qytetit jugor të Kandaharit, ndërkohë që forcat amerikane dhe ato anti-talebane vazhdojnë kërkimet për udhëheqësin taleban, Mullah Omar dhe për udhëheqësin terrorist Osama bin Laden.

Udhëheqësit fisnorë vazhdojnë takimet në Kandahar për të zgjidhur mosmarrëveshjet që e kanë zhytur qytetin në kaos që nga dorëzimi i tij nga forcat talebane ditën e premte. Atje kanë shpërethyer përleshjet midis forcave rivale dhe ka njoftime për plaçkitje.

Zyrtarë amerikanë thonë se nuk janë të sigurt për vendodhjen e Mullah Omarit. Udhëheqësi i ri i përkohshëm i Afganistanit, Hamid Karzai, u ka bërë thirrje të gjithë afganëve që të kërkojnë për Mullah Omarin dhe Osama bin Ladenin.

Edhe marincat amerikan po kërkojnë në afërsi të Kandaharit për terroristë, duke mbajtur me vete fotografi të anëtarëve kyç të rrjetit al-Kaida. Zyrtarët thonë se forcat amerikane janë përqendruar në anëtarët e al-Kaidës dhe jo aq shumë në luftëtarët talebanë, për të cilët ata shpresojnë se do t’i kthehen jetës civile.

Aeroplanët amerikanë po godasin përsëri zonat ku mendohet se janë fshehur luftëtarë të al-Kaidës, në një rajon malor të Tora Borës, ndërkohë që forcat tokësore anti-talebane vazhdojnë kërkimin për Osama bin Ladinin, i cili mund të jetë i fshehur në një kompleks shpellash në atë zonë.

Ndërkohë, një ekip shtatë anëtarësh i Kombeve të Bashkuara ndodhet në Kabul në kuadër të përgatitjeve për dislokimin e një force paqeruejtëse ndërkombëtare, që mund të vendoset atje deri më 22 dhjetor, kur qeveria e re kalimtare afgane është në plan të marrë pushtetin.

XS
SM
MD
LG