Lidhje

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës. - 2001-12-09


Para disa ditësh, Endeavour, anija e fundit amerikane e këtij viti për vajtje-ardhje në hapësirë, u nis dhe mbërriti në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Në bordin e saj ishin edhe tre anëtarët e ekuipazhit të tretë amerikano-rus, që nisen vetëm brenda këtij viti dhe që do të qendrojnë në stacion për 5 muaj. Por,kufizimet buxhetore kanë bërë të lindin dyshime në se në stacion do të mund të qendrojë ndonjëherë një ekuipazh prej 7 anëtarësh, siç ishte planifikuar fillimisht. Agjencia amerikane e hapësirës, Nasa, po lë mbrapa një vit kur ajo përfundoi fazën e parë të montimit të Stacionit të Hapësirës. Një krah i ri robot, i prodhimit kanadez, i montuar në prill dhe një kabinë e presionit të lartë, e instaluar në korrik, lejuan që procesi i ndërtimit dhe daljet në hapësirë nga moduli amerikan të vazhdojnë pavarësisht nga vizitat e anijeve për vajtje-ardhje në hapësirë. Alternimi i ekuipazheve prej tre anëtarësh dhe disa dhjetëra eksperimente shkencore, janë bërë një dukuri e rëndomtë, qëkurse stacioni priti banorët e tij të përhershëm në nëntor të vitit 2000.

Plani është që më së fundi numri i anëtarëve të ekuipazhit të shtohet e të arrijë në 7. Kjo do të bënte të mundur një plan kërkimesh shkencore më ambicioz për përmbushjen e objektivit të Nasës, që Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës të shndërrohet në një laborator modern në hapësirë që punon me orar të plotë.

Por ky plan mund të mos bëhet realitet. Nasa bëri të ditur në fillim të këtij viti se deri në vitin 2006 kostoja e stacionit e kapërcen buxhetin e saj me të paktën 4 miliardë dollarë. Administrata e presidentit Bush po e detyron Nasën t’i pakësojë shpenzimet.

Prandaj agjencia i la mënjanë planet për të ndërtuar një fjetore më të madhe dhe një automjet shpëtimi në raste urgjente për ekuipazhe më të mëdha. Zëvendësadministratori i Programit të Stacionit, Bill Gerstenmeier, thotë se Nasa është duke diskutuar mbi rrugët për kapërcimin e këtij problemi me vendet partnere.

“Ne po kërkojmë mendimet e tyre. Ne nuk jemi duke u thënë aspak se na duhet kjo apo ajo. Ne kemi biseduar në vija të përgjithshme dhe u kemi thënë: ‘Ja gjërat kryesore që na duhen. A dëshironi të na ndihmoni me ndonjë prej tyre?”

Që Nasa nuk mund të plotësonte detyrimet fillestare të stacionit u bë më e qartë në një raport të muajit nëntor të një komisioni të pavarur konsultativ ekspertësh të astronautikës amerikane. Kryetari i komisionit, Thomas Young tha në raportin që i paraqiti Kongresit të Shteteve të Bashkuara se buxheti i Nasës është i pamjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet e stacionit, ashtu siç mendohej në fillim, pa ndryshime rrënjësore në program.

Në raport vihej në dukje se shpenzimet për Stacionin e Hapësirës ishin dyfishuar nga 17 në 30 miliardë dollarë, kryesisht sepse Nasa i kishte nënvlerësuar shpenzimet dhe e kishte zgjatur planin e ndërtimit më se 4 vjet.

Komisioni sugjeronte shkurtimin e numrit të fluturimeve të anijeve për vajtje-ardhje në hapësirë dhe zgjatjen e kohës ndërmjet shkëmbimit të ekuipazheve. Komisioni shprehte mendimin që numri i anëtarëve të ekuipazheve mund të pakësohej, duke siguruar mbështetje në punën kërkimore-shkencore nga kozmonautët rusë.

Nasa po i studion rekomandimet e komisionit, por zyrtari i agjencisë Gerstenmeier thotë se ka besim që i gjithë stacioni do të ndërtohet ashtu siç ka qenë planifikuar.

“I gjithë programi parashikon akoma një ekuipazh prej shtatë vetash për stacionin dhe vazhdimin e punës deri në fazën përfundimtare të ndërtimit të tij. Ne nuk dimë akoma me hollësi se si do të arrijmë deri atje. Partnerët ndërkombëtarë po diskutojnë hapur me ne për alternativat e mundshme dhe mendoj se do të gjejmë një rrugë për ta zgjidhur problemin dhe për ta përfunduar ndërtimin e stacionit ashtu siç duam.”

Tash për tash programi i stacionit të hapësirës vazhdon normalisht. 5 misione për vajtje-ardhje në hapësirë do të shkojnë gjatë vitit 2002 në stacionin e hapësirës, duke i shtuar atij 50 tonë pajisje të ndryshme elektronike e të tjera dhe duke çuar atje dy ekuipazhe të reja.

XS
SM
MD
LG