Lidhje

Powell në Moskë - 2001-12-09


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, ndodhet në Moskë, vizitë që synon të forcojë mbështetjen për luftën kundër terrorizmit. Vemendja e vizitës së zotit Powell do të përqendrohet në ruajtjen e mbështetjes së Rusisë për fushatën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe për rindërtimin e këtij vendi tani që talebanët nuk janë më në fuqi.

Sekretari amerikan i shtetit do të takohet sonte me ministrin e jashtëm rus, Igor Ivanov, kurse nesër do të zhvillojë bisedime me presidentin Vladimir Putin. Sot ai do të vendosë një kurorë në një përmendore në kujtim të 13 personave që humbën jetën nga një shpërthin që ndodhi në një korridor metroje 16 muaj më parë.

Kjo është vizita e parë e zotit Powell si sekretar shteti në Rusi, vend që është kthyer në një prej aleatëve kryesorë të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.

Rusia dhe shumë nga vendet e Azisë Qendrore u kanë ofruar Shteteve të Bashkuara ndihmë në luftën kundër terrorizmit si asnjëherë më parë.

Dje, gjatë një ndalese në Uzbekistan, sekretari Powell tha se ky vend i Azisë Qendrore është treguar i gatshëm të ofrojë ndihmë humanitare për popullin afgan si dhe të ndihmojë për rindërtimin e Afganistanit. Presidenti i Uzbekistanit tha nga ana e tij se agjencitë e ndihmave do të lejohen të dërgojnë ndihmat aq të domosdoshme në Afganistanin verior, përmes një ure nga vendi i tij.

Edhe Rusia ka ofruar të ndihmojë në rindërtimin e Afganistanit tani që talebanët nuk janë më në fuqi. Personeli rus i ministrisë së Gjendeve Emergjente po ndërtojnë spitale fushorë dhe po shpërndajnë ndihma në Afganistan.

Gjatë qendrimit në Moskë, sekretari amerikan i shtetit Powell pritet gjithashtu të bisedojë edhe mbi çështje të tjera për të cilat Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk bien dakord, si planet e Uashingtonit për ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes nga raketat.

XS
SM
MD
LG