Lidhje

Kosovë: mblidhet kuvendi - 2001-12-10


Në Prishtinë u mbajt të hënën mbledhja e parë e parlamentit të ri të Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e përgjitshme të 17 nëntorit, që u vlerësua si ngjarje me rëndësi historike për të ardhmen e saj. Mbledhja e parë e parlamentit dëshmoi se mungesa e një marrëveshjeje paraparake politike mund të shkaktojë probleme në procesin e krijimit të institucioneve të Kosovës.

Mosmarrëveshjet e para lindën në votimin për kryesinë e parlamentit, proces i cili filloi pas fjalës së administratorit të Kombeve të Bashkuara. Hans Haekkerup tha se “kjo është një ditë historike për Kosovën, meqë siç u shpreh ai ajo paraqet një gurthemel të rëndësishëm në zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Duke iu drejtuar deputetëve zoti Haeekrup tha se ata do të kenë përgjegjësinë për të siguruar që pajtimi ndëretnik dhe politik të hedhë rrënjë të fuqishme në Kosovë dhe që të gjitha komunitetet të gëzojnë të drejta dhe përgjegjësi të barabarta larg cdo forme të diskriminimit.

Bashkësia ndërkombëtare tha zoti Haekkerup ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar paqe dhe qëndrueshmëri në Kosovë dhe rajon, prandaj shtoi ai deputetët e parlamentit të Kosovës kanë përgjegjësinë për të zhvilluar këto përpjekje dhe për të siguruar kështu mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Ai përcolli me ketë rast edhe përshëndetjet e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, për fillimin e punës së parlamentit.

Mosmarrëveshjet filluan pas fjalës së zotit Haekkerup. Ai i ndërpeu fjalën përfaqësusit të Partisë Demokratike e cila nga ana e saj nuk pranoi të shpallë propozimet e saj për anëtarët e kryesisë së parlamentit, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ndërpartiake për ndarjen e pushteit, siç u shpreh ajo. Më pas deputetët e kësaj partie u larguan nga salla e kuvendit.

78 nga deputetët e mbetur në sallë votuan për zgjedhjen e kryesisë së parlamentit dhe kryetarit të tij Nexhat Daci, përfaqësues i Lidhjes Demokratike. Kryesia aktuale e parlamentit përbëhet na Lidhja Demokratike, Koalicioni i serbëve të Kosovës si dhe një përfaqësues i pakicave tjera kombëtare. Deputetët e partisë Demokratike u rikthyen në sallë pas përfundimit të votimit, mirëpo kryetari i parlamentit Nexhat Daci shpalli një pushim pesëmbëdhjetë minutësh pas të cilit kumtoi se mbledhja e parlamentit vazhdon të enjten në orën 11.

Hashim Thaçi kryetar i Partisë Demokratike shfaqi mospajtimin e tij me trajtimin e deputetëve të kësaj partie, përkatësisht me siç tha ai mënyrën jodemokratike të udhëheqjës së sesionit të parë të parlamentit. “Pasi jemi sot në ditën e të drejtave të njerut 10 dhjetorin, mund të them lirisht para jush, qytetarëve të Kosovës dhe perfaqësuesvendërkombëtarë që janë këtu në sallë", tha zoti Thaçi, se "zoti Hans Haekkerup është ai i cili bëri shkeljen më të rëndë të të drejtave të njeriut sot me 10 dhjetor.

Por fjala e zotit Thaçi u ndërpre sërish nga kryetari i parlamentit ndërsa Ibrahim Rugova kryetar i Lidhjes Demokratike doli nga salla i ndjekur nga anëtarët e partisë së tij. Zoti Rugova tha me këtë rast se “puna e parlamentit do të vazhdojë dhe se institucionet e Kosovës do të ndërtohen pavarësisht nga mospajtimet, bisedat kanë marrrë fund për këtë në zyrën amerikane kemi biseduar, na ka ndihmuar ambasadori Menzies, ai i Britanisë së Madhe Andrew Lloyd, si dhe ambasadori gjerman zoti Schmunk. Pasi nuk kemi arritur një marrëveshje,prandaj sot u zgjodh kryetari i parlamentit dhe kryesia ashtu siç parashihet me kushtetutë, pastaj do të jetë kryetari i Kosovës dhe LDK-ja do të formoi qevrinë pra”.

Zoti Rugova theksoi se partnerëve të tij politikë u janë ofruar pesë ministri, dy poste zëvendëskryeministrash dhe posti i nënkryetarit të parlamentit, por ata nuk kanë pranuar. Megjithatë sipas tij mospajtimet nuk duhet të shkaktojnë tensione në punën e institucioneve të Kosovës.

Sidoqoftë, dita e enjte kur është paralajëmruar vazhdimi i punës së parlamentit pritet të sqarojë rjedhën e mëtejshme të procesit të krijimit të institucioneve të pushtetit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG