Lidhje

Afganistan: afati tjetër në 7:30 GMT - 2001-12-12


Forcat fisnore afgane kanë caktuar orën 7 e gjysmë të mëngjesit sipas Grinuiçit si afat për dorëzimin e luftëtarëve të rrjetit terrorist al-Kaida të Osama bin Ladenit, që ndodhen të rrethuara në rajonin malor Tora Bora të Afganistanit lindor.

Forcat fisnore të njohura si Aleanca Lindore po kërkojnë që al-Kaida të dorëzojë edhe 22 oficerë që kërkohen nga Shtetet e Bashkuara.

Luftëtarët e al-Kaidës nuk u dorëzuan brenda afatit të parë të caktuar për ditën e djeshme. Zyrtarë të Pentagonit dhe të Aleancës Lindore kanë shprehur mendimin se bisedimet për dorëzim mund të jetë një taktikë për t’u dhënë kohë luftëtarëve të al-Kaidës të ikin nga ajo zonë.

Agjencia franceze e lajmeve njofton se avionët amerikanë rifilluan sot para agimit, bombardimin e objekteve të al-Kaidës në zonë.

Ndërkohë, zyrtarë amerikanë të zbulimit u shprehën me skepticizëm rreth një njoftimi të gazetës amerikane Christian Science Monitor se bin Ladeni mund të ketë ikur në Pakistan para dhjetë ditësh. Zyrtarët thonë se mendohet që udhëheqësi i al-Kaidës ende ndodhet në rajonin Tora Bora, megjithëse vendodhja e tij e saktë nuk dihet.

Luftëtarët e al-Kaidës janë bërë objekt sulmesh të ashpra nga forcat fisnore, avionët amerikanë dhe forcat speaciale amerikane që nga fillimi i muajit. Luftimet në rajon u paksuan ditën e martë, pasi anëtarë të rrethuar të al-Kaidës i bënë një kërkesë urgjente për armëpushim, një komandanti ushtarak vendor, i cili ra dakord dhe caktoi afatin e djeshëm për dorëzim.

XS
SM
MD
LG