Lidhje

Bush:të transformohet ushtria - 2001-12-12


Presidenti Bush tha se lufta kundër terrorizmit kërkon një mënyrë të re të menduari për forcat e armatosura amerikane. Presidenti i bëri komentet e tij përpara kadetëve, me rastin e 3 mujorit të sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Pentagon.

Megjithëse kërcënimet ndaj Amerikës kanë ndryshuar që nga sulmet terroriste para tre muajsh, Presidenti Bush thotë se nevoja për fitore nuk ka ndryshuar.

Iluzioni i imunitetit u trondit. Një e keqe e largët u bë rrezik aktual. U bë e qartë një çështje e madhe: se ne do ta luftojmë terrorin dhe ata që e mbështesin atë për të shpëtuar fëmijët tanë nga një e ardhme me frikë, tha Presidenti Bush.

Ai i bëri këto komente dje, para nxënësve në një kolegj ushtarak privat të quajtur ”The Citadel”, në shtetin e Karolinës së Jugut. Presidenti tha se të fitosh këtë luftë kundër terrorizmit do të thotë të mposhtësh një armik të një lloji të ndryshëm.

Për të fituar këtë luftë, neve na duhet të mendojmë ndryshe. Armiku që u shfaq më 11 shtator kërkon t’i shpëtojë forcës sonë dhe kërkon vazhdimisht dobësitë tona. Prandaj, Amerikës i kërkohet që ta ndryshojë edhe një herë mënyrën e të menduarit dhe të luftuarit në forcat tona të armatosura, tha Presidenti Bush.

Ai tha se mënyra e re e të menduarit përfshin një përdorim më të gjerë të teknologjisë ushtarake, e cila lejon që trupat e stërvitura mirë të ndërmarrin goditje ajrore me precizion ndaj objektivave armike. Presidenti Bush shpjegoi se duke ndërthurur fluturimet e zbulimit pa pilot me njohuritë e luftëtarëve vendës në terren, trupat amerikane në Afganistan po mësojnë më shumë mbi teknologjinë ushtarake se sa kanë mësuar gjatë shumë viteve në kushte provash me përmasa të kufizuara.

Ai premtoi se do të rindërtojë rrjetin e agjentëvbe amerikanë të kundërzbulimit duke thithur në radhët e tij njerëzit më të mirë duke i stërvitur ata më së miri dhe duke u dhënë shpërblimin që meritojnë. Presidenti Bush tha se ka ardhur koha që të çohet më tej puna për zbatimin e planeve lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat, plane të cilat janë bërë objekt debatesh. Ai tha se ky sistem është i nevojshëm për të mbrojtur vendin nga terroristët të cilët përpiqen të shtien në dorë armë të shkatërrimit në masë.

Armiqtë tanë kërkojnë çdo rast dhe çdo mjet për t’i bërë të keqen vendit tonë, forcave tona dhe miqve tanë, por ne nuk do ta lejojmë këtë. Mendoni sikur talebanët dhe terroristët të ishin në gjendje të godisnin Amerikën ose aleatët tanë të rëndësishëm me një raketë balistike. Koalicioni ynë do të ishte bërë i brishtë dhe rreziqet ndaj nesh shumë më të mëdha, tha presidenti Bush.

Ai shpjegoi se kishte pasur në plan t’i bënte këto ndryshime që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë, në muajin janar. Tani, tha ai, nuk duhet humbur më kohë.

Ajo që ndryshon sot është që ne kemi kuptuar se sa e ngutshme është bërë kjo nevojë, nevoja për të ndërtuar këtë forcë të së ardhmes ndërkohë që zhvillojmë një luftë të së tashmes. Kjo është njëlloj si të rikonstruktosh motorin e makinës ndërkohë që e nget atë me shpejtësinë 100 kilometra në orë. E megjithatë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Ushtria jonë ka në thelb një mision të ri. Për ato shtete që mbështesin terrorizmin nuk mjafton që pasojat të jenë të kushtueshme. Ato duhet të jenë shkatërrimtare, tha Presidenti Bush.

Ai theksoi se me terroristët nuk bëhen negociata. Ajo që duan ata është pushteti prandaj ata duhen mposhtur.

XS
SM
MD
LG