Lidhje

Karta Universale e të Drejtave të Njeriut - 2001-12-12


Më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Në këtë deklaratë, të përpiluar pas mizorive të Luftës së Dytë Botërore, thuhet se ”Të gjithë njerëzit kanë lindur të lirë, me dinjitet dhe të drejta të barabarta. Njerëzit janë të pajisur me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me shpirtin e vëllazërimit”. Në deklaratë bëhet e qartë se Çdo njeri gëzon të drejtën për të jetuar, në kushtet e lirisë dhe sigurisë.”

Në të gjithë botën, 10 dhjetori përkujtohet si Dita e të Drejtave të Njeriut. Kjo është një ditë për të menduar për miliona njerëz të drejtat e të cilëve kufizohen ose mohohen nga qeveritë shtypëse. Kjo është gjithashtu një ditë për të menduar rreth numrit në rritje të atyre njerzve, jeta e të cilëve kërcënohet nga terroristët. Këtë vit 10 dhjetori përkujtohet në mënyrë të veçantë, për shkak të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Qendrën Botërore të Tregëtisë dhe në Pentagon, ku humbën jetën mijëra njerëz nga dhjetra vende të botës. Është më se e qartë, se nuk mund të ketë shkelje më të mëdha të të drejtave të njeriut se sa këto vepra terroriste të urryera, të cilat presidenti George W. Bush i quajturi ”një sulm ndaj vetë qytetërimit”.

Në Shtetet e Bashkuara, Dita e të Drejtave të Njeriut përfshihet në ngjarjet përkujtimore për një javë të tërë, kur kujtohen edhe miratimi i Billit të të Drejtave të Amerikës më 15 dhjetor të vitit 1791. Këto të drejta përfshijnë lirinë e fesë, atë të fjalës, të grumbullimit, zbatimit të procesit ligjor dhe të mbrojtjes nga dënimet e egra dhe të pazakonshme. Së bashku me Magna Kartën dhe Deklaratën Franceze të të Drejtave të Njeriut, Billi i të Drejtave i Shteve të Bashkuara shërbeu si një model për Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Siç u shpreh presidenti Bush kur deklaroi hapjen e Javës së të Drejtave të Njeriut, sulmi terrorist i 11 shtatorit ”shërbeu si shkas për të na kujtuar me pikëllim, se armiqtë e lirisë as nuk respektojnë dhe as nuk vlerësojnë të drejtat njerëzore të individit”. Dhe kur të drejtat tona bëhen objekt sulmi, tha ai, ato duhet dhe do të mbrohen”.

Në përgjigje të sulmeve terroriste, vendet e të gjithë botës janë bashkuar me Shtetet e Bashkuara në koalicionin, që është angazhuar në luftë kundër terrorizmit. Siç tha edhe presidenti Bush, ”Njerëzit e civilizuar kudo në botë e dinë mirë se terrorisët përbëjnë kërcënim ndaj çdo vendi që e do lirinë dhe vlerëson mbojtjen e të drejtave të individit”.

”Amerikanët qëndrojnë të bashkuar me ata që e duan demokracinë, drejtësinë dhe lirinë e individit. Ne jemë të vendosur që t’i ruajmë dhe t’i forcojmë këto parime ”, tha presidenti Bush.

XS
SM
MD
LG