Lidhje

Kalendari Historik 11 dhjetor - 2001-12-12


Më 11 dhjetor të vitit 1961, 33 helikopterë luftarakë të ushtrisë amerikane mbërritën në Vietnamin e Jugut. Pentagoni njoftoi se 400 ushtarë do të vinin në punë helikopterët për llogari të ushtrisë së Vietnamit të Jugut në luftën e saj kundër guerriljeve komuniste. Dërgimi i helikopterëve ishte shenja e parë e qartë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara në luftën e Vietnamit të Jugut kundër Vietkongut komunist. Përfundimisht, më shumë se gjysëm milioni trupa amerikane morën pjesë në këtë orvatje të pasuksesshme për të penguar komunistët që të vinin nën kontroll gadishullin vietnamez.

Po më 11 dhjetor të vititi 1961, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara shfuqizoi akuzat ndaj 16 studentëve afrikano-amerikanë të cilët ishin arrestuar në një demonstratë në Louisiana për të drejtat civile. Ky ishte vendimi i parë i Gjykatës së Lartë që rridhte nga fushata në rritje, në mbarë shtetet e jugut në vitin 1960, fushatë që karakterizohej nga demonstrimet paqësore gjatë të cilave studentët uleshin në shesh. Të 16 studentët ishin arrestuar në Baton Rouge të shtetit Louisiana, ku atyre u ishte refuzuar shërbimi në dy restorante ku dallimi racial ishte ende normë. Ata u akuzuan se kishin prishur qetësinë, pasi kishin kundërshtuar të largoheshin sipas urdhërit të policisë. Në vendimin e tij për këtë çështje, kryetari i Gjykatës së Lartë, Earl Warren, shkruante se studentët ishin treguar paqësorë dhe të qetë dhe nuk kishin shkelur ligjin mbi prishjen e qetësisë publike. Ai shkruante: “Nuk ka të dhëna që të provojnë konkluzionin se sjellja e studentëve prishi apo mund të ketë prishur qetësinë.”

XS
SM
MD
LG