Lidhje

Kalendari Historik 13 dhjetor - 2001-12-13


Më 13 dhjetor 1862, gjatë Luftës Civile Amerikane, trupat e shteteve të Unionit të gjeneral Ambrose Burnside pësuan humbje tepër të mëdha nga elemente të ushtrisë së gjeneralit Robert Lee të Virgjinias Veriore që luftonte në kuadrin e forcave të shteteve të Konfederatës. Gjenerali Burnside priste me padurim të përballej me trupat e gjeneralit Lee, më të famshmit të shteteve të jugut. Trupat e gjeneralit Burnside në mënyrë të përsëritur i sulmonin trupat e Konfederatës që ndodheshin prapa një muri prej guri nën një kodër pranë Fredericksburgut në Virxhinia. Herëpashere, pushkatarët e jugut qëllonin dhe vrisnin ushtarët e Unionit. Por atyre u bëri aq shumë përshtypje trimëria e ushtarëve të Unionit sa që pas çdo sulmi të dështuar të ushtarëve të Unionit, virxhinasit ngriheshin më këmbë dhe brohorisnin për guximin e armikut. Gjenerali Burnside atë ditë humbi 11 mijë ushtarë. Ndërkohë që njësitë e ushtarëve të veriut, më së fundi, po tërhiqeshin me ardhjen e perëndimit, gjenerali Lee tha: “Është mirë që kjo luftë është kaq e tmerrshme, se përndryshe do ta në hynte shumë në zemër.”

Më 13 dhjetor të vitit 1775, gjatë Luftës Amerikane për pavarësi, i ashtuquajturi Kongres Kontinental autorizoi ndërtimin e 13 anijeve luftarake. Britanikët i kishin vënë bllokadë porteve amerikane. Ata u prisnin rrugën anijeve tregtare dhe vinin nën kontroll qytetet-port. Duke e kuptuar se kjo taktikë e britanikëve do të vuloste përfundimisht dështimin e luftës së amerikanëve për pavarësi, po qe se nuk do t’i vihej fre, kongresi votoi për ndërtimin e anijeve. Një numër i vogël anijesh tregtare ishin kthyer në luftanije, por votimi për ndërtimin e të ashtuquajturve “burra lufte” shihet përgjithësisht si lindja e Marinës Luftarake të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG