Lidhje

Rrethimi i bin Laden - 2001-12-13


Ushtria amerikane po e përqendron zjarrin e saj në shpellat e maleve në rajonin Tora Bora të Afganistanit, ku mund të jenë fshehur terroristët kryesorë të al-Qaidës. Duke vënë në shënjestër këto shpella, avionët amerikanë kanë hedhur mbi 7 mijë kilogram bomba të tipit ”daisy cutter”. Për ta shtrënguar edhe më tej rrethimin, trupat pakistaneze kanë bllokuar rrugët e largimit nga ana e tyre e kufirit me Afganistanin.

Është ironik fakti që udhëheqësit e al-Qaidës dhe të Talebanit po fshihen. Si Osama bin Laden, ashtu Mullah Mohammad Omar kanë bërë deklarata të shumta në të cilat thoshin se do të shkatërronin të pabesët, se do të shkatërronin Amerikën. Në fakt, Mullah Omar është shprehur për rezistencë dhe për të luftuar deri në vdekje. Shihet qartë se sjellja e udhëheqësve të al-Qaidës dhe e Talebanit nuk i shkon retorikës së tyre. Siç është shprehur nënpresidenti Dick Cheney, bin Laden dhe Omar janë gati të dërgojnë të rinj me misione vetëvrasëse, ndërkohë që vetë fshihen diku, në ndonjë vrimë. Ata flasin me guxim, ndërkohë që përpiqen të shtyjnë të tjerët të luftojnë deri në vdekje.

Shtetet e Bashkuara po bëjnë çdo gjë që kanë në dorë që udhëheqësit e al-Qaidës dhe të Talebanit të mos i shpëtojnë drejtësisë. Edhe udhëheqësi i përkohshëm afgan, Hamid Karzai, është shprehur për nevojën e nxjerrjes së bin Ladenit përpara përgjegjësisë. ”Ai është kriminel”, tha Karzai për bin Ladenin. ”Ai ka vrarë mijëra afganas. Ka shkatërruar jetët tona. Ka bërë gjëra të tmerrshme”.

Zoti Karzai po vazhdon punën për rivendosjen e një qeverie të ligjshme në Afganistan. Më 22 dhjetor ai do të bëhet zyrtarisht udhëheqës i përkohshëm i vendit. Ai tashmë është takuar me fraksionet e përçara në Kandahar, ku arriti që këto fundit të nënshkruajnë një marrëveshje për ndarjen e pushtetit. Përveç këtyre zhvillimeve, ish-mbreti i Afganistanit, Mohammad Zaher Shah, shpreson të kthehet nga Italia ku ndodhet në mërgim. Ish-monarku do të mbledhë një këshill të madh tradicional të fiseve afgane pas 6 muajsh. Ky këshill do të vendosë një qeveri kalimtare dy-vjeçare dhe do të përpilojë një kushtetutë të re.

Afganistanin e presin vite të tëra rindërtimi. Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të qendrojnë në Afganistan por ato janë të gatshme ta ndihmojnë qeverinë e re. Siç është shprehur nënpresidenti Cheney, Shtetet e Bashkuara do të kujdesen që e ardhmja t’i japë popullit afgan mundësinë të ketë një qeveri të fortë dhe të përfaqësimit të gjerë, një qeveri e cila të garantojë se në të ardhmen, asnjë terrorist nuk do të gjejë përsëri strehë në Afganistan.

XS
SM
MD
LG