Lidhje

Bin Ladeni i rrethuar - 2001-12-14


Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan tha se mendohet që Osama bin Ladeni është midis forcave të rrjetit al-Kaida të rrethuara në dy lugina të zonës malore Tora Bora të Afganistanit.

Zyrtari, i cili kërkoi të mos njëjtësohej, tha se luftime intensive kanë filluar në luginat Agam dhe Vezir. Këto dy lugina shtrihen përgjatë kufirit midis Afganistanit dhe Pakistanit. Zyrtari amerikan tha se luftëtarët e al-Kaidës janë bllokuar në një anë nga forcat fisnore afgane dhe trupat pakistaneze nga ana tjetër. Ai tha se edhe forcat speciale amerikane po u afrohen këtyre luginave, duke drejtuar sulmet ajrore.

Komandantë të forcave anti-talebane thonë se një sulm ajror amerikan shkaktoi aksidentalisht plagosjen e disa prej luftëtarëve të tyre.

Zyrtari amerikan e mbështet mendimin se Osama bin Ladeni ndodhet në atë zonë, në qendresën e fortë nga ana e al-Kaidës dhe në njoftimet nga komandantë anti-talebanë e të dhëna të tjera zbulimi.

Forcat amerikane dhe ato fisnore afgane vazhdojnë luftimet kundër luftëtarëve të al-Kaidës në rajonin Tora Bora që nga dita e hënë. Zyrtarë amerikanë, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, kanë paralajmëruar se shumë luftëtarë të al-Kaidës mund të kenë ikur nga zona Tora Bora.

Ndërkaq, marincat amerikanë vërshuan në aeroportin e Kandaharit, duke e siguruar atë për përdorim nga forcat amerikane. Oficerët thonë se aeroporti do të përdoret për qëllime ushtarake dhe humaniatre. Njoftohet se marincat nuk ndeshën në ndonjë qendresë. Marincat thonë se aeroporti do t’u dorëzohet zyrtarëve afganë.

Sekretari Rumsfeld tha dje se dëshiron që luftëtarët e al-Kaidës të dorëzohen dhe jo të vriten, por ai shtoi se ata duhet të dorëzohen pa kushte dhe të mos përpiqen të bëjnë negociata për sigurinë e tyre. Dy afate për dorëzim, një ditën e merkurë dhe një dje, kaluan pa asnjë shenjë luftëtarët e al-Kaidës kanë ndërmend të dorëzohen.

XS
SM
MD
LG