Lidhje

Kalendari Historik 14 dhjetor - 2001-12-14


Më 14 dhjetor 1799, George Washington, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqësi ushtarak i kolonisë në Luftën Revolucionare, vdiq në moshën 67 vjeçare në plantacionin e tij në Mount Vernon të Virxhinias. Ai kishte marrë laringit dy ditë më parë kur kishte ecur nëpër shi dhe dëborë gjatë një inspektimi të fermës. Gruaja e Washingtonit, Martha u shqetësua për gjendjen e tij shëndetësore që po rëndohej dhe thirri mjekët në fermën e tyre. Mjekët përdorën trajtimin tipik të asaj kohe dhe i morrën gjak dy herë. Kur e kuptoi që po vdiste ish presidenti citohet të ketë thënë: “Nuk kam frikë nga vdekja, por do të qëndroj deri në momentin e fundit”. Trashëgimia që George Washingtoni i la vendit ishte ajo e një udhëheqësi që i dha dinjitet presidencës. Kur mësoi për vdekjen e tij, ish oficeri i Luftës Revolucionare, Henry Lee, shprehu nderimin e tij për Uashingtonin duke thënë: “Në kujtim të njeriut që ishte i pari në luftë, i pari në paqe dhe i pari në zemrat e bashkëatdhetarëve të tij.

Më 14 dhjetor, 1910, industrialisti Andrew Carnegie dha 10 milionë dollarë për të themeluar institutin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare. Carnegie e themeloi këtë organizatë për të nxitur paqen në botë përmes financimit të specialistëve, diplomatëve dhe politikanëve në mënyrë që ata të mund të studionin dhe të shkruanin rreth çështjeve ndërkombëtare. Instituti Carnegie mbështet gjithashtu revistën me influencë Foreign Policy, e cila boton raporte për ekspertët e institutit Carnegie. Krijimi i këtij instituti për paqe nga Andrew Carnegie erdhi nga besimi i tij i thellë se njerëzit e pasur duhet të përdorin pasurinë e tyre për të bërë të mira gjatë jetës së tyre. Me fondet e dhëna nga Andrew Carnegie u hapën biblioteka dhe institucione arsimore në gjithë Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG