Lidhje

Kalendari Historik 17 dhjetor - 2001-12-17


Më 17 dhjetor 1820, Shoqata e Kolonizimit Amerikan bleu një parcelë të vogël toke në Bregun Perëndimor të Afrikës. Organizata e cila ishte kundër skllavërisë, kishte si qëllim që ta përdorte tokën për rikthimin e skllevërve zezakë nga Shtetete e Bashkuara. Në 20 vitet që pasuan shumë nga skllevërit që u kthyen, shumica prej tyre me gjak të përzier, pushtuan akoma më shumë tokë në Bregun Perëndimor. Në 1847 ata vendosën të bashkonin tokat dhe të krijonin Republikën e Liberisë. Nën udhëheqjen e Joseph Jenkins Roberts, ish skllav nga Virginia, liberianët shkruan një kushtetutë shumë të ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara. Për ironi, ky dokument u mohoi afrikanëve vendas të drejta të barabarta me ish skllevërit me një ngjyrë më të çelët.

Më 17 dhjetor 1903, fluturimi i parë i kryer nga vëllezërit Wright shënoi fillimin e një epoke të re të aviacionit. Aeroplani me të cilën ata fluturuan ishte ndërtuar me dru, tela dhe pëlhurë dhe përdorte gazolinë. Wilbur Wright vuri në veprim katapultën që tërhoqi makinën fluturuese përpara, ndërsa Orville Wright pilotoi makinën 340 kilogramëshe nga bregdeti mbi dunat e rërës të Kitty Hawk, në Karolinën e Veriut. Fluturimi i parë i drejtuar nga njeriu zgjati vetëm 12 sekonda dhe mbuloi vetëm 36 metra. Më vonë atë ditë, Wilbur Wright, pilotoi makinën fluturese për 59 sekonda duke mbuluar një gjatësi prej 256 metrash mbi rërë dhe shkurre. Vëllezërit Wright përdorën dyqanin e tyre të biçikletave në Dayton, Ohio, për të ndërtuar makinën fluturuese. Modeli që ata përdorën ishte fryt i eksperimenteve shumëvjeçare, i provave dhe dështimeve të shumta. Mbas fluturimit të suksesshëm të 17 dhjetorit 1903, ata u kthyen në Ohio. Mbas dy vjet provash në një lëndinë ata zhvilluan aeroplanin e parë praktik.

XS
SM
MD
LG