Lidhje

Vendndodhja e bin Ladenit: mister - 2001-12-17


Vendndodhja e Osama bin Ladenit vazhdon të jetë një mister, megjithëse forcat afgane pretendojnë se ato kanë kapur bazën e fundit të rrjetit terrorist al-Kaida në rajonin Tora Bora.

Zyrtarë të lartë amerikanë pranojnë se nuk dinë se ku ndodhet Osama bin Ladeni, por zotohen se do ta ndjekin atë, pavarësisht se sa kohë do të duhet për ta kapur apo për ta vrarë atë. Komandantë fisnorë afganë thanë dje se forcat e tyre kanë kapur bazën e fundit të al-Kaidës në rajonin malor të Tora Borës.

Mirëpo, gjenerali amerikan, Tommy Franks, thotë se do të duhet kohë për të garantuar sigurinë e zonës, ndërkohë që forcat amerikane dhe ato afgane vazhdojnë kërkimin nga shpella në shpellë.

Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se rreth dy mijë anëtarë të tjerë të al-Kaidës janë vënë në ikje në Afganistanin lindor. Sipas komandantit afgan Haxhi Zaman, rreth 200 luftëtarë të al-Qaidës janë vrarë në luftimet e fundit. Forcat afgane, të mbështetura nga avionë luftarakë dhe forca speciale amerikane, hynë në rajonin e Maleve të Bardha në fillim të këtij muaji.

Pas një ndëprerjeje prej disa orësh, avionët amerikanë rifilluan dje fushatën e bombardimit në atë zonë.

Sekretari Rumsfeld, i cili bëri dje vizitën e tij të parë në Afganistan, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen nga rajoni derisa të përfundohet puna, siç u shpreh ai. Zoti Rumsfeld u takua dje në një bazë ajrore në veri të Kabulit me udhëheqësin e qeverisë së përkohshme afgane, Hamid Karzai, i cili merr pushtetin ditën e shtunë. Sekretari Rumsfeld tha se zoti Karzai shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me forcat e koalicionit, ndërkohë që ato vazhdojnë të ndjekin luftëtarët e fundit të rrjetit al-Kaida.

XS
SM
MD
LG