Lidhje

Kosovë - Gjykata e Lartë liron tre shqiptarë - 2001-12-20


Gjykata e lartë e Kosovës urdhëroi lirimin e 3 shqiptarëve të arrestuar 9 muaj më parë nën dyshimet se ishin përfshirë në sulmin kundër një autobuzi që shkaktoi vdekjen e 11 serbëve dhe plagosjen e më shumë se 40 të tjerë.

Një tryp gjykues prej tre gjykatësish ndërkombëtarë urdhëroi këtë javë lirimin e Avdi Behlulit, Qele Gashit dhe Jusuf Veliut mbasi vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për t’i mbajtur në paraburgim. Gjyqtarët hodhën poshtë një kërkesë të prokurorit për mbajtjen e tyre.

Autoritetet i arrestuan të tre shqiptarët dhe mikun e tyre, Florim Ejupi, në lidhje me një sulm të kryer në shkurt kundër një autobuzi që ishte nën shoqërimin e një autokolone të OKB-së dhe që transportonte serbë të cilët po ktheheshin për një vizitë në Kosovë. I dyshuari i katërt u arratis në muajin maj nga vendi ku mbahej i burgosur, dhe ende nuk është kapur.

Pavarësisht nga vendimi i gjykatës, administratori i OKB-së për Kosovën, Hans Haekkerup, ka të drejtë që ta shtyjë afatin e paraburgimit për të tre të dyshuarit.

Sulmi mbi autobuzin ishte një nga incidentët më të përgjakshëm në Kosovë që nga vendosja e trupave paqeruajtëse të NATOs atje në mesin e vitit 1999.

XS
SM
MD
LG