Lidhje

Marinsat britanikë në Afganistan - 2001-12-21


Një kontingjent marinsash britanikë ndodhen në kryeqytetin afgan si pjesë e forcës paqeruajtëse shumëkombëshe të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Pesëdhjetëetre trupa të Marinës Mbretërore kanë shkuar në Kabul për të ndihmuar në vendosjen e masave të sigurisë në prag të inaugurimit të qeverisë së re të përkohshme që bëhet nesër. Britania do të drejtojë forcën ndërkombëtare për tre muajt e parë. Pritet që në këtë forcë të marrin pjesë të paktën 3 mijë trupa nga rreth 10 vende. Paqeruajtësit kanë një mandat prej 6 muajsh si dhe të drejtën për të përdorur forcën. Ndërkohë, trupat speciale amerikane vazhdojnë të kërkojnë për luftëtarë të Al-Qaedës dhe të Talebanit që mund të kenë mbetur gjallë në shpellat dhe tunelet e rajonit Tora Bora në Afganistanin lindor afër kufirit me Pakistanin.

Dje, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që autorizon një forcë paqeruejtëse shumëkëmbëshe për Afganistanin. Rezoluta i jep kësaj force një mandat 6 mujore dhe të drejtën e përdorimit të forcës.

Anëtarë të marinës mbretërore britanike që do të marrin pjesë në këtë forcë, mbërritën në bazën ajrore Bagram në veri të Kabulit. Komandanti i kompanisë së marinës mbretrore, Matt Jones, thotë se 53 marinca do të marrin masa për të siguruar gjendjen dhe për të dhënë ndihmën e nevojshme në kuadër të përgatitjeve për ceremoninë e betimit të qeverisë së re të përkohshme afgane. Britania do ta komandojë forcën paqeruejtëse prej rreth 3 mijë trupash që do të dërgohen nga një numër vendesh.

Autoritetet në kryeqytetin fgan thonë se do të ndalojnë mbajtjen e armëve në rrugët e Kabulit, me përjashtim të forcave të ministrive të Mbrojtjes e të Brendshme dhe ato të agjencisë së zbulimit.

Ndërkohë, forcat amerikane të mbështetura nga helikopterë dhe avionë gjurmimi vazhdojnë kërkimin në kompleksin e shpellave dhe tuneleve për luftëtarë të al-Qaida-s. Pentagoni njofton se në atë zonë janë dërguar rreth 500 marinca për të ndihmuar në përpjekjet e kërkimit.

Ministria e Jashtme pakistaneze thotë se 15 nga 20 luftëtarët të burgposur të al-Qaida-s që ikën të mërkurën, janë kapur. Ata ishin mes 156 luftëtarëve të al-Qaidës që ikën nga krahina Tora Bora dhe shkuan në Pakistan, ku u kapën nga ushtria pakistaneze. Por 20 prej tyre ikën gjatë një revolte ndërsa po transportoheshin në një burg pakistanez. Gjashtë ushtarë pakistanezë dhe shtatë të burgosur u vranë në atë incident.

XS
SM
MD
LG