Lidhje

Djindic mbi Hagën - 2001-12-26


Kryeministri i Serbisë Zoran Djindic tha se pret që shumica e qytetarëve jugosllavë të akuzuar për krime lufte nga gjykata e Hagës të dalin para gjyqit deri në fund të vitit që vjen.

Udhëheqësi serb i tha agjensisë jugosllave të lajmeve Beta se të dyshuarit që do të dorëzohen vullnetarisht do të marrin garanci se qeveria do ti mbështesë në mbrojtjen e tyre para gjykatës. Zoti Djindic tha se nuk sheh asnjë arsye që ata persona që mendojnë se kundër tyre nuk ka prova të mos dorëzohen. Por ai tha se nuk ka pse të mbrojë ata njerëz për të cilët ekzistojnë prova se kanë kryer krime.

Zoti Djindic pranoi se Serbia është para një trysnie të madhe ndërkombëtare që t’i dorëzojë Hagës të dyshuarit për krime lufte. Ai tha se rreth 20 qytetarë jugosllavë janë duke u kërkuar nga gjykata apo po mbahen në qendrën e arrestit të kësaj gjykate.

I pyetur rreth presidentit të Serbisë Milan Milutinovic, zoti Djindic tha se presidenti do të jetë një qytetar i thjeshtë i kërkuar nga gjykata e Hagës sapo t’i ketë mbaruar mandati. Por kryeministri serb nuk përjashtoi mundësinë që zoti Milutinovic të hiqet nga lista e të dyshuarve nëse bashkëpunon me gjykatën.

XS
SM
MD
LG