Lidhje

Administrata Bush: video-kaseta e bin Ladenit - propagandë - 2001-12-27


Administrata e presidentit Bush po e hedh poshtë si propagandë një videokasetë të re, në të cilën Osama bin Ladeni akuzon Perëndimin se ka ndërmarrë një fushatë kryqëzatash kundër botës myslimane. Osama bin Ladeni thotë se synimet e sulmeve terroriste të rrjetit al-Kaida kundër Shteteve të Bashkuara kishin për qëllim t’i jepnin fund mbështetjes së Uashingtonit për Izraelin.

Rrjeti televiziv al-Xhazira me seli në Katar i tansmetoi dje këto pjesë të videokasetës që vënë në shënjestër spekulimet se Osmaba bin Ladeni mund të jetë vrarë gjatë bombardimeve amerikane në rajonin Tora Bora. Në videokasetë, Osama bin Ladeni thotë se po flet tre muaj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara, pra rreth dy javë më parë. Mirëpo, analistët perëndimorë thonë se ende nuk është e qartë se kur mund të jetë regjistruar kjo videokasetë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se videokaseta nuk përmban asgjë të re. Ai u tha gazerarëve që po mbulojnë vizitën e presidentit Bush në fermën e familjes në Teksas se videokaseta përmban të njëjtën propagandë që është dëgjuar edhe më parë nga Osama bin Ladeni.

Videokaseta ngjall dyshime lidhur me vendodhjen e udhëheqësit të al-Kaidës. Fjalët e shprehura nga vetë bin Ladeni lënë të kuptohet se videokaseta mund të jetë regjistruar disa javë më parë, ndoshta para fillimit të sulmeve intensive kundër pozicioneve të al-Kaidës në rajonin Tora Bora të Afganistanit lindor.

Në ato pjesë të shkurtëra të trasmetuara të videokasetës, Osama bin Ladeni akuzon Perëndimin se e shikon me neveri Islamizmin. Pritet që stacioni televiziv al-Xhazira ta transmetojë sot videokasetën në tërësi. Në të kaluarën, Shtëpia e Bardhë u ka bërë thirrje rrjeteve televizive amerikane që të mos transmetojnë në tërësi videokaseta nga Osama bin Ladeni dhe të shqyrtojnë me kujdes përmbajtjen e viteokasetave para se ato të trasnmetohen.

Ndërkaq, zyrtarët amerikanë thonë se forcat afgane vazhdojnë kërkimin nëpër shpella e tunele në rajonin Tora Bora për Osama bin Ladenin dhe çdo anëtar tjetër të rrjetit të tij al-Kaida. Pentagoni thotë se atje nuk nevojiten forca të tjera.

Në Kabul, udhëheqësi i përkohshëm i Afganistanit, Hamid Karzai, tha se përparësia kryesore e kabinetit të tij është vendosja e sigurisë, ndërkohë që qeveria e tij fillon punën e vështirë të rindërtimit të vendit.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, zoti Karzai tha se terrorizmi në Afganistan është zhdukur pothuajse krejtësisht. Por ai tha gjithashtu se afganët kërkojnë vendosjen e paqeruejtësve ndërkombëtarë si garanci se bota nuk do ta harrojë Afganistanin siç ka ndodhur në të kaluarën.

XS
SM
MD
LG