Lidhje

Hakerup jep dorëheqjen - 2001-12-28


Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën Hans Haekkerup ka dhënë sot dorëheqje nga posti i tij ende pa mbushur një vit të punës të cilën ai e filloi më 15 janar të këtij viti. Në dorëheqjen e tij zoti Haekkerup ka përmendur përkushtimin ndaj familjes meqë gjatë ditëve të ardhshme pret një trashëgimtar, ndërsa ka përjashtuar mundësinë që dorëheqja të jetë pasojë e ndonjë trysnie ndaj tij. Zoti Haekkerup është larguar nga Kosova menjëherë pas mbledhjes së parë të parlamentit të Kosovës të cilën e udhëhoqi për të qëndruar në një pushim të zgjatur në Danimarkë. Që nga largimi i tij pati shumë diskutime e komente rreth punës së tij në postin e shefit të UNMIK-ut. Ai u kthye mbrëmë në Prishtinë për ta bërë publike sot dorëheqjen e tij nga ky post.

Zoti Haekkerup ish Ministër i Mbrojtjes në Danimarkë erdhi në Kosovë në fillim të këtij viti duke zëvendësuar francezin Bernard Kouchner. Në vendimin për dorëheqjen, ai ka numëruar si suksese të tij hartimin e kornizës kushtetuese, mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme më 17 nëntorit dhe përfshirjen e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje nëpërmjet bisedimeve me autoritetet e Beogradit. Ai është kritikuar nga një pjesë e përfaqësuesve politik shqiptare në vecanti për nënshkrimin e një dokumenti me autoritetet e Beogradit me të cilin edhe kishte siguruar pjesmarrjesn e serbëve në zgjedhje.

Përfaqësuesit politik të shqiptarëve thanë sot se dorëheqja e zotit Haekkerup ndodhë në një periudhë të papërshtatshme. Kolë Berisha nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se kjo dorëheqje krijon një zbraztësirë që duhet të plotësohet shumë shpejtë. “Pikërisht në momentin kur po përpiqemi t’i ndërtojmë institucionet demokratike mbi bazën e zgjedhjeve të 17 nëntorit, largimi i zotit Haekkerup do të krijojë zbraztësirë. Megjithatë Kosova do të punojë, do të vazhdojë të ecë përpara edhe pa të dhe shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare do të kujdeset që sa më parë të caktojë një person tjetër të përshtatshëm. Do të dëshironim që personi i ardhshëm të jetë nga SHBA-ja”, përfundoi Kolë Berisha.

Përfaqësuesit politik shqiptarë shprehen të rezervuar sa u përket arsyetimeve të zotit Haekkerup për dorëheqjen nga posti i tij i deritashëm. Fatmir Limaj sekretar për marrëdhënie publike i Partisë Demokratike thotë se veprimet e zotit Haekkerup në të shumtën e rasteve kanë qenë në kundërshtim me vetë Rezolutën 1244 dhe me realitetin e Kosovës, për cka edhe është kritikuar jo rralë nga përfaqësuesit e kësaj partie.”Ajo që ka qenë kryesore është se gjatë githë kohës ne kemi thënë se ndoshta zoti haekkerup nuk e ka kuptuar sa duhet realitetin dhe vetë procesin politik në Kosovë dhe specifikat e saj. I ka munguar bashkëpunimi i thellë me vendorët e pa të vështirë është të kihet sukses. Gjithashtu jo rrallë herë edhe interpretimin e Rezolutës 1244 e ka bërë njëanshmërisht e jo si tërësi”, nënvizoi zoti Limaj.

Përfaqësuesja e serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, ndërkaq ka shprehur keqardhjen e saj për dorëheqjen e zotit Haekkerup duke nënvizuar se ai ishte personi i qëlluar për ushtrimin e detyrës së shefit të administratës ndërkombëtare, meqë sipas saj ai ishte i paanshëm në qëndrimet e tij si ndaj komunitetit shqiptar ashtu edhe ndaj atij serb.

Tash për tash nuk dihet se kush do të mund të trashëgojë zotin Haekkerup në postin e shefit të misionit civil në Kosovë, por përfaqësuesit shqiptarë shpresojnë se ky do të jetë i dërguar i ndonjërit nga vendet që “kanë bërë më së shumti për Kosovën”.

XS
SM
MD
LG