Lidhje

Kalendari Historik 30 dhjetor - 2001-12-30


Më 30 dhjetor 1940, zyrtarët e Departamentit të Transportit të Kalifornisë dhe të qytetit Los Anxheles kryesuan ceremoninë për inugurimin e autostradës së parë të këtij qyteti. Rreth 1 mijë e 500 vetë morën pjesë në prerjen e shiritit të kësaj autostrade prej 7 kilometrash që ishte zgjatim i një rruge të gjerë të quajtur Arroyo Seco dhe që lidhte qendrën e Los Anxhelesit me qytetin e Pasadenës. Autostrada e re kishte një gjerësi prej 21 metrash dhe kishte tre korsi në secilin drejtim. Ajo mori emrin Arroyo Seco, siç quhej një përrua i tharë i cili zgjatej paralel me të. Përgjat kësaj autostrade u ndërtua më vonë edhe stadiumi i famshëm Rose Bowl i Pasadenës. Sot Los Anxhelesi është i famshëm për autostradat e tij që kapin rreth 1 mijë kilometra gjatësi.

Më 30 dhjetor 1936, anëtarë të Sindikatës së Automobilëve zhvilluan një grevë ulur, një nga të parat dhe më të suksesshmet e këtij lloji në historinë sindikaliste amerikane. Punëtorët e uzinës së pjesëve të këmbimit të kompanisë General Motors në qytetin Flint të Miçiganit e filluan grevën për të kërkuar njohjen nga kompania të sindikatës së tyre të re. 40 mijë punëtorë dolën në vendet e tyre të punës por refuzuan të punojnë. Historiani Scott Malloy thotë se sindikatat e kishin kuptuar se grevat ulur kishin më shumë efekt se sa mosparaqitja në punë. “Greva ulur ishte diçka revolucionare sepse punëtorët qendronin në vendin e punës ku kishin një çati mbi kokë. Zakonisht, atje ata kishin ujë dhe ngrohje, të cilat kompania nuk ua ndërpriste dot. Ajo që kishte rëndësi ishte se kjo lloj greve i pengonte grevëthyesit të hynin dhe t’u zinin punëtorëve vendin e punës pasi askush nuk e dëshironte një ballafaqim fizik me ta,” shpjegon historiani. Greva 40-ditëshe përfundoi kur kompania General Motors ra dakord të njihte Sindikatën e Bashkuar të Punëtorëve të Automobilëve.

XS
SM
MD
LG