Lidhje

Indi-Pakistan:tensioni vazhdon - 2001-12-30


Pakistani arrestoi ish udhëheqësin e një grupi të armatosur, i cili fajësohet nga India për sulmin vetvrasës ndaj parlamentit indian.

Zyrtarë pakistanezë të sigurimit thanë sot se dje vonë kishin ndaluar në Islamabad Hafiz Mohammed Saeedin, nën akuzat për nxitjen e dhunës. Të hënën e kaluar, zoti Saeed dha dorëheqjen nga posti i udhëheqësit të organizatës Lashkar-e-Toiba, duke thënë se grupi po e transferonte bazën e tij në Kashmir dhe se do të kishte për udhëheqës një kashmiras.

India fajson organizatën Lashkar-e-Toiba dhe grupin tjetër pakistanez, Xhaish -e- Muhamed për sulmin kundër parlamentit indian më 13 dhjetor, që shkaktoi vdekjen e 14 vetave, përfshirë 5 autorë të sulmit. Sulmi ka çuar në një ballafaqim të tensionuar ushtarak midis Indisë dhe Pakistanit.

Javën e kaluar, Pakistani arrestoi udhëheqësin e grupit Jahish-e-Mohammad, Maulana Masood Azhar. Islamabadi ka arrestuar më se 50 veta, qëkurse India kërkoi që ky vend të merrte masa kundër grupeve terroriste, të cilat mohojnë se kishin luajtur ndonjë rol në sulmin kundër parlamentit indian. Islambadi thotë se India ende nuk ka paraqitur prova se kush e ka kryer sulmin.

India dhe Pakistani kërkojnë të fillojnë bisedimet për uljen e tensionit, por ndërkohë të dyja vendet kanë vazhduar gruymbullimin e forcave përgjatë kufirit të tyre të përbashkët.

Disa veta janë vrarë gjatë ditëve të fundit në përleshjet përgjatë kufirit dhe dhjetra mijëra banorë kanë ikur nga zona kufitare. Njoftohet se sot pati zjarr mortajash përgjatë vijës që ndan Kashmirin.

XS
SM
MD
LG