Lidhje

Anketimi i organizatës Freedom House - 2001-12-31


Më 11 shtator, terroristët, të cilët pretendonin se vepronin në emër të Islamit, shkaktuan vdekjen e rreth 3 mijë njerëzve nga dhjetra vende të ndryshme nëpërmjet sulmeve vetvrasëse që ndërmorën kundër Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera mësuan në mënyrën më tronditëse se ata duhej të hynin në luftë me terrorizmin për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e tyre.

Përveç luftës së drejtpërdrejtë që i duhet bërë terrorizmit, ka rëndësi që të studiohen edhe rrethanat që çojnë në nxitjen e fanatizmit dhe të urrjetjes. Midis këtyre rrethanave, shtypja politike dhe fetare duhet të zenë një vend të dukshëm, ashtu si edhe mungesa e demokracisë.

Megjithëse terroristët vijnë nga vende shumë të ndryshëm, nuk ka dyshim se shumica e tyre dërrmuese vijnë nga vende që nuk janë as të lira dhe as demokratike. Në fakt, shumica e të 19 rrëmbyesve të avionëve të 11 shtatorit ishin nga vende myslimane ku ka mungesa në standardet e lirisë, si Arabia Saudite, Egjipti e të tjerë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Osama bin Ladenin dhe anëtarët e tjerë të grupit të tij terrorist Al-Qaida.

Çdo vit, organizata Freedom House, me qendër në Shtetet e Bashkuara, bën studime rreth gjendjes së të drejtave politike dhe të lirive civile kudo në botë dhe i klasifikon vendet sipas shkallës së lirisë. Një aspekt që tërheq vemendjen në studimin e këtij viti është se i lirë u klasifikua vetëm një vend me shumicë popullsie myslimane, Mali. 18 vende myslimane klasifikohen si pjesërisht të lirë. 28 të tjerë renditen në kategorinë jo të lirë. Ndër ta bëjnë pjesë 7 nga të 10 vendet që organizata Freedom House i cilëson si më shtypësit në botë: Iraku, Libia, Arabia Saudite, Sudani, Siria, Turkmenia dhe Afganistani përpara përmbysjes së talebanëve.

Freedom House vëren gjithashtu atë që ajo e quan ”hendek të demokracisë” në botën islame. Nga të 47 vendet me shumicë popullsie myslimane, vetëm 11 kanë qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike. Ndërsa asnjëri nga të 16 vendet arabe të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës veriore nuk është demokraci.

Ka rëndësi të theksohet se studimi i organizatës Freedom House nuk gjen ndonjë mospërputhje midis demokracisë dhe islamit. Përkundrazi, shumica e vendeve me popullatat më të mëdha myslimane kanë qeveri demokratike dhe këtu përfshihen Indonezia, Bangladeshi, India, Nigeria dhe Turqia.

Siç ka vënë në dukje Presidenti Bush, terroristët e sulmuan Amerikën sepse ajo është shtëpia dhe mbrojtësja e lirisë. Kjo do të thotë se lufta kundër terrorizmit duhet të përfshijë vazhdimin e mbështetjes për lirinë dhe demokracinë në çdo pjesë të botës, sidomos në vendet myslimane dhe arabe.

XS
SM
MD
LG