Lidhje

Indi-Pakistan: tensionet rriten - 2001-12-31


Pakistani arrestoi udhëheqësin e një grupi të armatosur, i cili fajësohet nga India për sulmin terrorist vdekjeprurës ndaj parlamentit indian, që ka çuar në një ballafaqim ushtarak të tensionuar ndërmjet dy rivalëve bërthamorë.

Zyrtarë pakistanezë të sigurimit bëjnë të ditur se kreu i grupit Lashkar-e-Toiba, Hafiz Mohammed Saeed, u arrestua dje. Pakistani ka arrestuar deri tani më se 50 veta, qëkurse India kërkoi që ky vend të merrte masa kundër grupeve terroriste. Por Islamabadi thotë se nuk do t’i padisë penalisht të arrestuarit, derisa New Delhi të japë prova për implikimin e tyre në sulmin kundër parlamentit.

Po dje Pakistani vuri nën arrest mbrojtës për 90 ditë udhëheqësin e grupit tjetër, që India fajëson për sulmin: Jahish-e-Mohammad. Autoritetet pakistaneze e arrestuan atë javën e kaluar. Të dy grupet mohojnë përgjegjësinë për sulmet.

Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur si India edhe Pakistani duan të ulin tensionin e shkaktuar nga ballafaqimi i tyre ushtarak dhe të fillojnë bisedimet për uljen e tensionit në marrëdhëniet e ndërsjella.

Të dy vendet janë aktualisht në mes të mobilizimit të tyre më të madh ushtarak në 15 vjet dhe asnjëra palë nuk i ka tërhequr trupat nga vija e kontrollit që ndan rajonin e Kashmirit.

Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharaf, tha dje se Pakistani dëshiron paqe dhe një zyrtar i lartë i kabinetit indian tha se India shpreson që Uashingtoni do të ushtrojë ndikimin e tij të mjaftueshëm në rajon për të parandaluar një konflikt ushtarak.

Ministri indian i Drejtësisë, Arun Jaitley, i tha rrjetit televiziv C-N-N se India nuk do të përdorë e para armët bërthamore në se shpërthen konflikti. Sipas njoftimeve nga rajoni, dhjetëra mijëra indianë kanë ikur nga shtëpitë e tyre në rajonin e Kashmirit, ndërkohë që grumbullimi i trupave ka vazhduar gjatë dy ditëve të fundit.

XS
SM
MD
LG