Lidhje

Nju Jorku përgatitet për Vitin e Ri - 2001-12-31


Kujtimi i frikshëm i sulmeve terroriste të 11 shtatorit mbi Nju Jork do të ndihet, kur mbi gjysmë milioni njerëz të mblidhen(sonte) në Sheshin Times Square të qytetit, për të kremtuar ardhjen e Vitit të Ri, një nga ngjarjet që tërheq më shumë vëmendjen e shikuesve në mbarë botën. Masat e sigurimit do të jenë të forta. Do të nderohen viktimat e sulmeve dhe do të ketë hedhje fishekzjarresh, drita dhe muzikë, si edhe do të lëshohet rruzulli i madh tradicional, nën britmat e gëzuara të turmës së ngjirur.

“Departamenti i policisë i qytetit të Nju Jorkut ka një histori të pasur përsa i përket sigurimit të popullsisë gjatë festave të mëdha. Nata e Vitit të Ri ka filluar të kremtohet që nga viti 1904 dhe policia ka ditur gjithmonë të ruajë rendin. Ata më kanë kërkuar mua të transmetojë disa mesazhe në se njerëzit do të mblidhen në Times Square, dhe unë shpresoj se do të mblidhen. Dhe këto mesazhe janë që të mos sjellin çanta shpine apo çanta kampimi, se pijet alkoolike janë të ndaluara dhe se ato do të konfiskohen në se dikush i sjell në Shesh”, thotë Robert Esposito, president i përkohshëm i grupit të organizuesve të festës, Times Square Business Improvement District.

Rreth 7 mijë policë patrulluan dy vjet më parë në Times Square për kremtimet e Mijëvjeçarit të Dytë dhe zoti Esposito thotë se edhe këtë vit numri i tyre do të jetë po aq ose më i madh. Masat e njoftuara zyrtare të sigurimit përfshijnë kontrollin e çdo njeriu që hyn në zonën e Times Square. Do të ketë policë me detektorë portativë për metale. Burime policore thonë se do të ketë skuadra të posaçme për bioterrorizmin, policë të pajisur me detektorë për rrezatime, si edhe patrulla mbi çatitë e shtëpive. Këto masa janë zbatuar edhe për festa të tjera të rëndësishme në Nju Jork.

Veç këtyre kutitë postare, koshat e plehrave dhe kutitë e gazetave do të hiqen nga Times Square, ndërsa punonjës të policisë me rroba civile do të patrullojnë përmes turmës. Kryetari i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Rudolf Xhuliani do të jetë Mysafir Nderi dhe detyra e tij e fundit zyrtare do të jetë shtypja e butonit për lëshimin e rruzullit të madh të kristaltë dhe fillimin e numërimit të sekondave të fundit të vitit, ngjarje që do të shihet nga qindra miliona njerëz në mbarë botën.

Mandati i Xhulianit si kryetar bashkie përfundon në orën 12 të mesnatës. Pritet që kryetari i ri i bashkisë, Michael Bloomberg, të jetë aty pranë për të bërë betimin në detyrën e re, disa çaste pas lëshimit të rruzullit, çka do të simbolizojë dhe vërë në pah kalimin pa probleme të pushtetit në qytetin më të madh të Shteteve të Bashkuara. Një ndryshim në kremtimet e këtij viti do të jetë ceremonia e rënies së kambanave në orën 6 të mbrëmjes, kur sfera e kristaltë të ngrihet në Times Square. Kambanat do të bien në gjithë qytetin për të kujtuar viktimat e sulmeve të 11 shtatorit. Pjesëtarë të familjeve të atyre që humbën jetën kur Qendra e Tregtisë Botërore u shkatërrua, do të jenë të pranishëm në ceremoni, thotë Esposito.

Sfera e kristaltë 485 kilogramëshe, e përdorur për numërimin e sekondave të fundit, do të përmbajë 504 trekëndësha të kristaltë, që organizuesit i quajnë projekti Shpresa për Rimëkëmbje. Rreth 3 mijë veta u vranë kur dy aeroplanët e rrëmbyer u përplasën më 11 shtator mbi Qendrën e Tregtisë Botërore, disa kilometra larg Times Square. Në trekëndëshat e kristaltë do të jenë gdhendur emrat e vendeve që humbën njerëz në sulmet terroriste, si edhe të skuadrave të zjarrfikësve, të reparteve policore dhe të ekipeve të shpëtimit, që humbën njerëzit e tyre në ato sulme. “ Dhe vetë rruzulli i kristaltë është pak i ndryshëm, tha për televizionin Reuters, zoti Esposito. Në të do të jenë gdhendur emrat e më shumë se 80 vendeve dhe rajoneve që humbën njerëz në Qendrën e Tregtisë Botërore, si edhe të punonjësve të ekipeve të shpëtimit. Ju e dini se ne humbëm një numër zjarrfikësish, policësh dhe punonjësish të urgjencave mjekësore. Kështu që emrat e rajoneve të policisë apo të reparteve të zjarrfikësve për të cilët ata punonin do të jenë gdhëndur në sferën e kristaltë, krahas numrit të viktimave që kanë pasur.”

Zyrtarë të turizmit, për qytetin e Nju Jorkut thonë se për festat e Vitit të Ri presin një rritje të numrit të vizitorëve në rajonin e Nju Jorkut, në krahasim me vitin e kaluar. Shkalla e rezervimeve në hotele ka qenë 78 përqind për Festën e Vitit të Ri, shifër kjo 3 përqind më e lartë në krahasim me vitin e kaluar, thonë ata. Organizuesit thonë se Times Square është bërë një nga zonat më të sigurta të qytetit të Nju Jorkut dhe se ftesa është e hapur për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në kremtimet me rastin e Vitit të Ri.“Do të dëshironim që të vinin sa më shumë. Gjithmonë ka vend edhe për një më shumë, shton zoti Esposito.”

XS
SM
MD
LG