Lidhje

Blair: mision diplomatik - 2002-01-02


Kryeministri britanik, Tony Blair, do të shkojë në Azinë Jugore në kuadër të një misioni diplomatik i cili synon parandalimin e një lufte të mundëshme midis Indisë dhe Pakistanit.

Një zëdhënës thotë se zoti Blair do të niset për në rajon gjatë ditëve të ardhshme. Hollësitë e udhëtimit nuk janë bërë të ditura për arësye sigurie.

Zëdhënësi thotë se zoti Blair pritet të takohet fillimisht me kryeminsitrin indian, Atal Behari Vajpayee, e më pas me presidentin pakistanez, Pervez Musharraf.

Dje, Pakistani hodhi poshtë një kërkesë të Indisë për arrestimin e 20 të dyshuarve të tjerë si ekstremistë myslimanë, duke thënë se India nuk ka sjellë prova që ata kanë gisht në sulmin terrorist të muajit të kaluar ndaj parlamentit indian.

Pakistani ka arrestuar deri tani rreth 100 anëtarë të dy grupeve ekstremiste të cilët India i akuzon për sulmin, Lashkar-e-Toriba dhe Jaish-e-Mohammed. Sulmi i 13 dhjetorit shkaktoi vdekjen e 14 personave, përfshirë 5 sulmuesit e vetësakrifikuar.

India i quan arrestimet e bëra deri tani një hap pozitiv, por tensionet vazhdojnë të jenë të larta ndërmjet dy vendeve rivale bërthamore. Trupat e tyre vazhdojnë të shkëmbejnë zjarr mortajash përgjatë vijës që ndan rajonin e diskutueshëm të Kashmirit. Të dyja palët kanë grumbulluar forca përgjatë kufirit të përbashkët dhe Islamabadi e komenton këtë gjendje si tepër shpërthyese.

XS
SM
MD
LG