Lidhje

Euro - një sfidë e re - 2002-01-02


Evropianët filluan të përdorin paranë e tyre të njësuar, euron, e cila u bë zyrtarisht mjet këmbimi në 12 vende të Bashkimit Evropian, që, së bashku, kapin një popullsi prej 300 milion banorësh. Makinat automatike nga Lisbona në Helsinki, nga Dublini në Athinë, filluan të nxjerrin kartmonedhat e reja që nga momenti i ndërrimit të viteve, gjë që u quajt nga udhëheqësit evropianë një hap gjigand drejt integrimit të Evropës.

Në disa kryeqytete të Evropës, ardhja e euros u prit me spektakle madhështore plot muzikë dhe drita shumëngjyrëshe. Në Bruksel, qielli i natës u ndez i tëri nga dritat verbuese të fishekzjarreve.

Shumë prej atyre që morën pjesë në festimet e Vitit të Ri, u drejtuan nga makinat automatike bankare për të provuar në duart e tyre paranë e re. Por një pjesë vunë re se makinat ose nuk punonin ose vazhdonin të nxirrnin kartmonedha të vjetra, pikërisht ato që duhet të zevëndësonte euroja.

Megjithatë, ky nuk përbën ndonjë problem, sepse paratë e vjetra si frangu francez, marka gjermane apo lireta italiane do të vazhdojnë të përdoren edhe për një farë kohe të shkurtër, deri sa të bëhet kalimi i plotë në euron.

Meqenëse dje ishte ditë pushimi dhe kompanitë e mëdha të shitjeve qendruan të mbyllura, barra kryesore për të përballuar vërshimin e euros u ra dyqaneve të vogla, shitësve ambulantë dhe pronarëve të kafeneve.

Hans Vorster, i cili shet lule në stacionin e madh hekurudhor të Frankfurtit, thotë se nuk ka edhe aq shumë euro rezervë për t’u kthyer klientëve, kur ata i kërkojnë kusur. Kështu që ai ka gjetur një zgjidhje të përkohëshme.

”Kur klienti paguan me euro, atij i kthehet kusuri me euro. Kur paguan me marka merr marka,” thotë Hans Vorster.

Ai thotë gjithashtu se klientëve ky nuk u duket ndonjë problem i madh, sepse të gjithë janë duke mësuar, pra duke mësuar se si përdoret euroja. Të njëjtën gjë mund të vesh re edhe në kafenetë e Parisit dhe të Brukselit. Kur paguan në euro, kusuri të kthehet në euro. Kur paguan me franga, të kthejnë franga.

Disa evropianë e ndjenë veten diçka më të pasur kur u zgjuan nga gjumi më 1 janar. Kështu për shembull, Sebastian Rochard (Roshar), teknik aparaturash mjeksore në Paris, thotë se vuri re se gazeta e tij e mëngjesit kushtonte më pak se sa më parë.

”Është më e lirë se më parë sepse një euro është baras me 6.55 franga. Kurse më parë gazeta kushtonte 7 franga. Pra, çmimi i ri është me interes për mua,” thotë Roshar.

Deri tani, euroja ka qenë e padukshme, megjithëse është tregtuar në tregjet e parasë apo është përdorur në shkëmbimet e bursës. Por duke filluar që nga dita e sotme, ajo do të përdoret për të blerë për shembull, një revistë, një palë këpucë apo një kafe.

Ministri francez i financave, Laurent Fabius (Loran Fabys) është midis zyrtarëve të lartë evropianë që besojnë se paraja e re do të hapë rrugën për një unitet më të madh midis vendeve evropiane.

"Mendoj se këtë herë kemi të bëjmë vërtet me një moment historik. Ne e përdorim shpesh fjalën historik, për gjëra që në fakt nuk janë të tilla. Ndërsa kësaj radhe po. Nuk është thjesht puna te paraja e re. Por kemi të bëjmë me një fazë të re në ndërtimin e Bashkimit Evropian," thotë ministri francez i financave.

Megjithëse 1 janari shënoi fillimin zyrtar të euros si para e përbashkët, dita më rëndësishme e hedhjes së saj në treg do të jetë dita e sotme, kur në të 12 vendet e eurozonës të rifillojnë nga puna bizneset pas pushimeve me rastin e ndërrimit të viteve. Disa evropianë janë të preokupuar se mund të ketë sasi të mjaftueshme parash të reja. Gjithashtu, kërcënimet për grevë të punonjësve francezë dhe italianë të bankave mund të krijojnë çrregullime në procesin e kalimit në paranë e re, proces që deri tani ka qenë relativisht pa probleme.

XS
SM
MD
LG