Lidhje

Vidiokaseta tjetër e Osama bin Ladenit - 2002-01-03


Kohët e fundit terroristi Osama Bin Laden doli me një tjetër videokasetë propagandistike. Kaseta u transmetua nga stacioni televiziv satelitor Al-Xhazira me qendër në Katar në datën 27 dhjetor dhe me sa duket ajo është regjistruar gjatë javëve të fundit.

Ashtu si në videokasetat e mëparshme, Bin Ladeni shpreh qartë urrejtjen e tij për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Ai thotë se sulmet terroriste vdekjeprurëse ndaj Amerikës dhe Izraelit janë ”terrorizëm i bekuar”. Përveçse mburret për sulmet terroriste të 11 shtatorit ndaj Qendrës Botërore të Tregtëisë dhe Pentagonit, gjatë të cilave humbën jetën rreth 3 mijë njerëz, Bin Ladeni përmend sulmin e vitit 1998 të organizatës Al Kaida ndaj ambasadës amerikane në Nairobi të Kenias. Në këtë sulm dhe në një tjetër ndaj ambasadës amerikane në Dar Es Salam të Tanzanisë, humbën jetën më tepër se 200 vetë dhe u plagosën mijëra të tjerë, shumica afrikanë.

Por videokaseta që e zbulon më shumë natyrën e Osama Bin Ladenit është ajo që u gjet pasi organizata Al Kaida dhe bashkëpunëtorët e saj talebanë filluan të ikin për t’u shpëtuar forcave të koalicionit në Afganistan. Kjo kasetë ishte regjistruar në muajin nëntor, në Kandahar, ku kishin zyrat talebanët dhe organizata Al Kaida. Sipas përkthyesve të arabishtes, të cilët i bënë një transkriptim të hollësishëm videokasetës për gazetën Washington Post, Bin Ladeni flet për sulmet terroriste të 11 shtatorit. Ja si shprehet ai: ’U ulëm për të llogaritur humbjet që u shkaktuam armiqve dhe prisinim që viktimat të ishin vetëm pasagjerët në avion dhe ata që aktualisht do të godiste avioni në Qëndren Botërore të Tregtisë. Por unë isha më optimist nga të gjithë të tjerët, pasi jam specialist i këtij profesioni dhe biznesi.”

Bin Ladeni thotë se ai shpresonte që karburanti i avionit të shkrinte hekurin e ndërtesave dhe t’i shkatërronte ato nga pika e goditjes e sipër. Por në fakt, të dyja kullat u shkatërruan plotësisht, pra thotë Bin Ladeni, shumë më tepër nga sa e prisnim ne”.

Në video kasetën e Kandaharit, Bin Ladeni gjithashtu pretendon se dy nga grabitësit e avionëve, vëllezërit sauditë Nawaf Alhazmi dhe Salem Alhazmi ishin njohës të mirë të fesë islamike. ”Të kryesh vetëvrasje në emër të Zotit, është akoma më mirë se të njohësh librat dhe pamfletet me karakter fetar’, thotë Bin Ladeni.

Kjo, natyrisht është gënjeshtër. Siç kanë theksuar një numër i madh klerikësh myslimanë dhe të tjerë specilistë të kësaj fushe, feja islamike e konsideron vetëvrasjen si një mëkat tepër të madh. Edhe në kushtet e luftës, ligji mysliman ndalon vrasjen e civilëve. Vetëm një interpretim pervers i fesë islamike mund të miratojë një sulm terrorist kundër civilëve.

Siç ka thënë presidenti Bush, mësimet e fesë islamike” janë të mira dhe paqësore dhe ata që kryejnë të këqia në emër të zotit, ata shajnë vetë zotin.”

XS
SM
MD
LG