Lidhje

Karzai pritet në shkurt në Washington - 2002-01-03


Avionë amerikanë bombarduan një kompleks në Afganistanin lindor, ku Pentagoni thotë se janë mbledhur anëtarë të rrjetit al-Kaida të Osama bin Ladenit.

Zyrtarë amerikanë të Mbrojtjes thonë se avionët hodhën mbrëmë vonë mbi 100 bomba gjatë sulmit në afërsi të qytetit Khowst. Nuk është e qartë se sa anëtarë të al-Kaidës janë vrarë në këtë sulm.

Gjenerali amerikan, Richard Myers u tha dje gazetarëve në Washington se shërbimi amerikan i zbulimit diktoi veprimtari në kompleksin e goditur. Rrjeti televiziv NBC citon zyrtarë amerikanë të kenë thënë se një avion gjurmimi zbuloi një autokolonë që udhëtonte nën masa të njëjta sigurimi që zakonisht merren në praninë e Osama bin Ladenit.

Ndërkohë, ka njoftime kundërthënëse rreth vendndodhjes së udhëheqësit taleban, Mullah Muhamed Omar. Ministri afgan i Rindërtimit i tha dje televizionit gjerman se kleriku i kërkuar mund të jetë arrestuar. Ministri tha se kishte dëgjuar që Mullah Omari ishte arrestuar, por nuk dinte gjë më shumë.

Zyrtarë afganë të zbulimit thanë më heret se Mullah Omari ishte i rrethuar së bashku me një mijë e 500 luftëtarë në afërsi të qytetit Baghran dhe se kishin filluar bisedime për dorëzimin e tij.

Pentegoni si edhe zyrtarë ushtarakë afganë thonë se i shikojnë me një farë skepticimi njoftimet se Mullah Omari është në atë zonë dhe si ai është objekt bisedimesh për t’u dorëzuar.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha dje se nuk kishte asnjë hollësi rreth këtyre bisedimeve. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë bisedimet që mund t'i siguronin lirinë Mullah Omarit apo udhëheqësve të tjerë kryesorë talebanë.

Zyrtarë amerikanë konfirmojnë se udhëheqësi i përkoshëm afgan, Hamid Karzai, është përgatitur të vijë muajin tjetër për vizitë në Washington, me ftesën e presidentit Bush. Data e vizitës ende nuk është caktuar.

Njoftohet se forcat amerikane mbajnë tani afro 250 lufëtarë talebanë dhe anëtarë të al-Kaidës. Sekretari Rumsfeld tha se disa prej tyre do të transferohen në një qndër nën masa më të rrepta sigurimi që po ndërtohet në bazën detare amerikane në Guantanamo të Kubës.

XS
SM
MD
LG