Lidhje

Zyrtari i lartë i OKB-së në Kosovë - 2002-01-03


Zëvëndësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Jean-Marie Gueheno u bëri thirrje sot udhëheqësve politik shqiptar që të arrijnë kompromis për ndërtimin e institucioneve të vetqeverisjes në Kosovë. Kjo sipas tij do të jetë provë e madhe për popullin e Kosovës në synimin e tij për tu integruar në familjen evropiane jo vetëm gjeografikisht apo ekonomikish por edhe politikisht, ka deklaruar zoti Gueheno. Ai theksoi se në se kjo provë do të ketë sukses populli i Kosovës do të jetë një hap më afër integrimit në Evropë dhe kjo sipas tij do të jetë edhe përgjigje e komunitetit ndërkombëtar ndaj statusit përfundimtar të Kosovës.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë zoti Gueheno ka takuar përfaqësues ndërkombëtar dhe ata vendor ndërsa nga bisedimet e zhvilluara kishte krijuar përshtypjen se punë të mëdha janë bërë gjatë 12 muajve të kaluar dhe se populli duhet të jetë i kënaqur me të arriturat e deritashme. Me këtë rast ai veçoi zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit, hartimin e kornizës kushtetuese ndërsa këtë vit e vlerësoi si vitë të hapave të sukseseve edhe më të mëdha. Zoti Gueheno duhet të kurorëzohen proçeset e filluara vitin që lamë pas duke rradhitur në ktë kuadër miratimin e ligjeve dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes dhe sigurisë për të gjitha komunitetet. Ai tha se misionin e Kombeve të Bashkuara e pret një punë e madhe edhe gjatë këtij viti ndërsa paralajmëroi emërimin e shpejtë të një administratori të ri pas dorëheqjes së zotit Haekkerup për të cilin ai tha se kishte kryer një pjesë të madhe të punës së tij.

Mirëpo ai nuk bëri ndonjë paralajmërim kush mund të jetë pasardhësi i zotit Haekkerup. Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara në veçanti u angazhua për ndërtimin e institucioneve të një qeverie të përkohshme të cilat sipas tij janë përgjegjësi e udhëheqësve vendor të Kosovës. Ai shfaqi shpresën se gjërat do të lëvizin përpara dhe se udhëheqësit vendor do të jenë të gatshëm për kompromise që do të çonin në realizimin e këtyre synimeve. Kompromisi është bazë e demokracisë tha zoti Gueheno për të shtuar se ai nuk është i lehtë mirëpo në këtë mënyrë udhëheqësit vendor dhe populli i Kosovës do ti dërgonin një mesazh bashkësisë ndërkombëtare se janë të gatshëm të krijojnë siguri për të gjithë dhe të ndërtojnë institucionet e tyre. Në këtë mënyrë sipas zotit Gueheno ata do të ruanin simpatinë e botës e cila po ndjek zhvillimet në Kosovë. Nga ana e tyre udhëheqësit politik të shqiptarëve u angazhuan për ndërtimin sa më të shpejtë të institucioneve ndërsa nga zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara kishin kërkuar angazhim më të madh në zgjidhjen e disa problemeve të rënda të pas luftës në Kosovë, siç është lirimi i të burgosurve shqiptar dhe ndriçimi i fatit të personave që figurojnë të zhdukur.

XS
SM
MD
LG