Lidhje

Duket i afërt bashkëpunimi me opozitën në Shqipëri - 2002-01-04


Pak javë më parë në kuvendin e saj Partia Demokratike, forca më e madhe e opozitës, paraqiti 11 pika të përmbledhura në atë që u quajt paketa antikorrupsion. Demokratët bënin disa propozime që sipas tyre do të çonin në një luftë më efikase ndaj fenomenit gërryes të këtyre viteve tranzicion të Shqipërisë duke filluar që nga ngritja e komisioneve të posaçme parlamentare hetimi, deri te heqja e imunitetit për politikanët dhe zyrtarët e lartë që të mund të hetoheshin dhe verifikim edhe ndërkombëtar për llogaritë e fshehta bankare si dhe krijimi i një gjykate të llogarive. Sot qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrit të Shtetit për antikorrupsionin Ndre Legisi deklaroi se i pranon këto propozime dhe se është e gatshme të bashkëpunojë konkretisht me opozitën. “Në vlerësim të kërkesave dhe sygjerimeve të opozitës, për ngritjen e komisionit dypalësh parlamentar për shqyrtimin e Prokurimeve Publike, ne shtojmë që të verifikohen privatizimet dhe lejet e ndërtimit nga viti 1992 dhe deri më sot. Lidhur me këtë është depozituar për miratim në parlament projektligji për “Ngritjen dhe funksionimine Komisionit Hetimor Parlamentar”, tha Ministri i Shtetit.

Komisioneve hetimore sipas zotit Legisi do t’u njihet e drejta e hetimit për të gjithë personat me imunitet dhe e drejta për të dërguar në prokurori çdo zyrtar të lartë që zgjidhet nga parlamenti e që rezulton i përfshirë në sfera korruptive. Qeveria shqiptare është shprehur gjithashtu e gatshme të bëjë ndryshime në ligjin për prokurimet publike e të mbështesë propozimet për të klasifikuar korrupsionin si vepër të rëndë penale. Zoti Legisi tha se qeveria bie dakort që në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare të heqë çmimet e referencës e të liberalizojë licensat e patentat. Ai shpjegoi se është kërkuar asistencë edhe për ligjin mbi deklarimin e pasurive të zyrtarëve të lartë.

Ministri i shtetit deklaroi se do të kërkonte edhe sugjerimet e opozitës Akuzat për një nivel të lartë korrupsioni nuk janë bërë vetëm nga opozita. Kohët e fundit edhe kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano kritikoi publikisht qeverinë dhe ministra të kabinetit Meta për përfitime të paligjshme dhe abuzime me fondet publike.

XS
SM
MD
LG