Lidhje

Kapet anije palestineze me armë - 2002-01-07


Kapiteni palestinez i një anije të kapur nga Izraeli me disa tonë armë të fshehura në bord tha se ngarkesa ishte për palestinezët.

Kapiteni tha gjithashtu se ai kishte marrë udhëzime nga zyrtarë të Autoritetit Palestinez. Omar Akawi e bëri këtë deklaratë nga burgu në Izrael gjatë një interviste të transmetuar nga televizioni izraelit.

Izraeli akuzon udhëheqësin palestinez Yasser Arafat se ka urdhëruar dhe financuar ngarkesën me armë nga Irani, akuzë e cila mohohet nga Autoriteti Palestinez.

Qeveria iraniane gjithashtu mohoi sot përsëri të ketë pasur lidhje me anijen e ngarkuar me armë, e cila u kap në Detin e Kuq nga forcat speciale detare izraelite të enjten e kaluar.

Debati midis Izraelit dhe palestinezëve lidhur me armët zbehu misionin katërditor të armëpushimit nga i dërguari i posaçëm amerikan, Anthony Zinni.

Megjithatë zoti Zinni e përfundoi udhëtimin e tij dje duke thënë se ka vërtet mundësi për përparim. Dje, ai kryesoi një takim me zyrtarët palestinezë dhe ata izraelit të sigurimit. Ambasada amerikane në Jerusalem tha se komisioni trepalësh do të vazhdojë të punojnë lidhur me masat praktike, deri sa zoti Zinni të kthehet përsëri në rajon.

Ndërkohë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Javier Solana po zhvillon një seri takimesh me udhëheqësit izraelit dhe ata palestinezë, duke shpresuar të bëjë të mundur rifillimin e diskutimeve mbi çështjet politike.

XS
SM
MD
LG