Lidhje

Qeveria shqiptare shpall emergjencën e mbrojtjes civile - 2002-01-07


Qeveria shqiptare shpalli mbrëmë emergjencën e mbrojtjes civile për t’i ardhur në ndihmë disa qindra mijëra banorëve në zonat malore të Veriut dhe Verilindjes së Shqipërisë që janë bllokuar mes vështirësive nga bora dhe temperaturat e ulta.

Autoritetet e morën këtë vendim në përpjekje për të tejkaluar situatën e rëndë ku janë përfshirë pothuajse të gjithë fshatrat dhe komunat e 4 qarqeve të zonave veriore: Qarkut të Kukësit, të Dibrës, të Shkodrës dhe të Lezhës.

Një komitet i posaçëm për të kryer detyrat e mbrojtjes civile në kushtet e fatkeqësive natyrore u ngrit me urgjencë si rezultat i bashkëpunimit të disa ministrive me objektivin e vetëm: normalizimin e jetës në krahinat e veriut të vendit.

Statusi ligjor i kësaj emergjence parashikon bashkëpunim më të ngushtë të dikastereve shtetërore për të mposhtur dimrin e këtij viti në përmasa që nuk janë parë në Shqipëri që prej më shumë se një dekade.

Në fakt strukturat e disa ministrive janë përfshirë që prej afro një muaji në detyra të ngjashme. Ministria e Mbrojtjes ishte e para që anagazhoi reparte të posaçme të motorizuara me ekskavatorë dhe mjete të tjera për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora. Qëllimi kryesor i gjithë kësaj emergjence është mbajtja hapur me çdo kusht e të paktën 5 akseve kryesore të rrugëve më të rëndësishme të krahinave për të bërë të mundur qarkullimin e njerëzve si edhe të ndihmave të tjera në ushqime dhe ilaçe.

Njëkohësisht, repartet e helikopterëve të ushtrisë shqiptare dhe të NATO-s transportuan nga ajri pa ndërprerë ushqime dhe ilaçe nga rezervat e qeverisë si dhe nga Kryqi i Kuq Shqiptar.

Ministria e Shëndetësisë ngriti në Kukës një depo farmaceutike që do të mbulojë gjithë nevojat e zonës me ilaçet më të domosdoshme, ndërsa vështirësitë më të mëdha duket u kanë mbetur shkollave të këtyre zonave ku mësimi është ndërprerë pjesërisht, ndërsa në fshatrat ku shkollat janë hapur ka qenë problem ngrohja e mjediseve.

Nga pesha e borës dhe erërat e forta në disa vende janë këputur linjat e energjisë elektrike dhe telefonike për riparimin e të cilave zyrtarët thonë se po bëjnë përpjekje të mëdha.

Që nga kriza e Kosovës, kjo është e dyta herë brenda tre vjetëve që zonat e veriut të Shqipërisë bëhen objekt i ndihmës të qeverisë dhe organizatave humanitare për përballimin e vështirësive të mbijetesës.

XS
SM
MD
LG