Lidhje

Policia e UNMIKut: Incidenti në Kamenicë vdekje aksidentale - 2002-01-08


Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë thanë sot se vdekja e një pjestari të komunitetit serb në komunën e Kamenicës në Kosovën Lindore ishte aksidentale dhe nuk ka të bëjë me dhunën ndëretnike. Ata i bënë këto komente pas njoftimeve të para të hetuesve të policisë së OKB-së të cilët kanë pohuar se bomba e dorës që ka shkaktuar vdekjen e personit ishte pronë e tij dhe se shpërthimi ka pasuar gabimin e pronarit. Së këndejmi zëdhënsja e UNMIK-ut Suzan Manuel tha se kjo ishte vdekje aksidentale. “I vrari kishte vendosur një minë të befasisë në derën e dyqanit të tij për të parandaluar ndonjë vjedhje gjatë natës prandaj policia beson se mjeti ka shpërthyer aksidentalisht në duart e tij”. Zonja Manuel tha se komuna e Kamenicës është e njohur për tensione ndëretnike, mirëpo kjo ngjarje nuk ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve.

Ndërkaq forcat paqëruajtëse (KFOR) thanë se po ndihmojnë policinë e Kombeve të Bashkuara në ndricimin e këtij rasti i cili ka shtuar tensionet në komunën e Kamenicës me popullatë të përzier. Incidenti fillimisht ishte cilësuar si një akt i dhunës ndëretnike, ndërsa forcat paqëruajtëse shrtuan patrullimet dhe zgjatën orën e ndalim qarkullimit prej orës 18 deri në orën 5 të mëngjesit. Ndaj kësaj ngjarjeje reaguan edhe përfaqësuesit politik serb duke paralajmëruar madje edhe mundësinë e bojkotimit të mbledhjes së radhës të parlamentit të Kosovës në shenjë proteste. Për shkak të këtij incidenti kishte reaguar edhe Beogradi zyrtar duke kërkuar sic thuhej vënien para drejtësisë të autorëve të kësaj ngjarjeje. Rezultatet e reja të hetimeve ndërkaq duket se kanë krijuar një realitet të ri dhe për këtë arsye gjatë ditës ka pasur shumë pak komente si të përfaqësuesve ndërkombëtar ashtu edhe të atyre politik serb.

XS
SM
MD
LG